20 mars 2014 – Ngjarjet me te rendesishme te regjistruara ne vite te ndryshme ne date 20 mars:

 

43 pes– Në fshatin Sulmo, afër Romës, lindi Publius Ovidius Naso, i njohur si Ovidi. Ai kreu punë të ndryshme, por në fund vendosi t'i përkushtohej poezisë; shumë shpejt u bë poeti më i shkëlqyer i brezit të tij; por perandori August (Oktaviani), nuk e deshi, e dëboi nga Roma në një fshat peshkatarësh, ku edhe vdiq në vitin 17. Arsyeja e këtij mërgimi nuk dihet, por Ovidi shkruan se ndodhi për shkak të "një poeme dhe një gabimi". Vepra më e njohur e tij, Metamorfozat pati ndikim të madh mes shkrimtarëve të mesjetës, ndërsa periudha e shekullit XII u quajt epoka Ovidiane. 

1554– Gjon Buzuku fillon të shkruajë librin "Meshari”, siç thotë vetë në pasthënie, dhe e përfundoi më 5 janar 1555. Në këtë vit duket se ka përfunduar edhe shtypja e librit. Buzuku ishte prift katolik, famullitar i thjeshtë. Nga libri i Buzukut ka shpëtuar vetëm një kopje, edhe ajo e gjymtë. I mungojnë faqet e para dhe për këtë arsye nuk e dimë vendin ku u shtyp libri dhe cili autoritet kishtar e dha lejen e botimit (imprimatur – "le të shtypet") sipas rregullave të kishës katolike. Ajo që na kumton Buzuku te pasthënia e shkurtër në fletën e fundit të librit (mrekullisht ka shpëtuar kjo fletë), është se kisha ku shërbente dhe shtypshkronja nuk kanë qenë larg dhe kështu ai vente e vinte për të ndihmuar tipografët që shtypnin librin, sepse ata kishin shumë vështirësi të radhisnin tekstin e shqip të Buzukut. Merret vesh se tipografët kanë qenë të huaj, italianë, nuk e dinin shqipen. Janë shprehur hipoteza të ndryshme për vendin e shërbim të Buzukut.  Më e besueshmja duket ajo që e bën Gjon Buzukun famullitar të ndonjë bashkësie Shqiptarësh të shpërngulur diku në ndonjë territor të Republikës së Venedikut pas rënies së Shkodrës në duart e Osmanëve (1479). Specialistët kanë përcaktuar se tipi i shkronjave dhe lloji i letrës janë po ata që përdoreshin në shtypshkronjat e Venedikut në mesin e shek. XVI. “Meshari” përmban lutjet dhe pjesët nga Shkrimi i Shenjtë që thuhen gjatë meshës në kishë. Lënda e librit është kryesisht përkthim nga latinishtja a italishtja. Libri u botua në një periudhë të ndeshjes së Reformës dhe Kundërreformës. Reforma ishte një lëvizje fetare që u zhvillua në shek. XVI e cila shkëputi nga bindja ndaj Papës një pjesë të Europës Perëndimore dhe solli lindjen e kishës protestante dhe futjen e gjuhëve të gjalla popullore në shërbesat fetare (gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht etj.). Me emrin kundërreformë kuptohet tërësia e masave që ndërmori vetë Kisha Katolike në shek. XVI-XVII për t'iu kundërvënë reformës protestante dhe për të ruajtur autoritetin e saj duke përmirësuar gjendjen e kishës. 

Teksti i “Mesharit” është shumë i vlefshëm nga pikëpamja e historisë së gjuhës shqipe. Ajo dëshmon se gjuha shqipe në shek. XVI ka qenë më e njësishme sesa sot, d.m.th. dallimet ndërmjet gegërishtes e toskërishtes kanë qenë shumë më të pakta. Duke u mbështetur në elementet gjuhësore të "Mesharit" studiuesit anojnë nga teza se Gjon Buzuku do të ketë qenë nga me origjinë nga krahina e Krajës, Ljarjes dhe Shestanit (sot në Malin e Zi). Fjalori mjaft i pasur dhe mënyra deri diku e saktë e drejtshkrimit dhe gramatikës në gjuhën e "Mesharit", i kanë bërë studiuesit të mendojnë se tradita e shqipes së shkruar është shumë më e hershme.

1627– Franca dhe Spanja nënshkruajnë marrëveshjen për të luftuar protestantizmin.

1727– Vdiq në Londër fizikani, matematikani dhe astronomi anlez Sir Isaac Newton, në moshën 84. Newton konsiderohet si një nga shkencëtarët më me ndikim i të gjitha kohërave. Libri i tij Philosophiae Naturalis Principia Mathematica (Parimet Matematike të Filozofisë Natyrore), botuar në vitin 1687, hodhi themelet e mekanikës klasike. Newton gjithashtu krahas Gottfried Leibnizit (albanolog), shpiku kalkuluset.

1760– Zjarri në  Boston shkatërron 349 ndërtesa.

1800– Ushtria franceze mposht turqit në Helipolis, duke përparuar drejt Kajros, Egjipt.

1815– Napoleoni hyn në Paris pas ikjes nga Elba dhe rivendos perandorinë që zgjati 100 ditë.

1888– Për herë të parë një operetë në gjuhën rome shfaqet në Moskë, Rusi.

1977– Komunistët dhe Socialistët fitojnë zgjedhjet komunale në Francë – parizianët zgjedhin ish-kryeministrin Zhak Shirak si kryebashkiakun e parë të Parisit në një shekull.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/