Ish-kryeministri Sali Berisha, mbrëmjen e sotme, nga dritarja e banesës së tij është ndalur te burgosja e Ervin Salianjit, ish-deputetit demokrat të dënuar me një vit burg për kallëzim të rremë lidhur me çështjen Babale.
Berisha fton shqiptarët të ngrenë pikëpyetje me arsyen e arrestimit të Salianjit, duke thënë se ai nuk ka bërë asnjë krim, veçse ka guxuar të bëjë publike fakte se Geron Xhafa merrej me trafik droge.
“Ftoj sot shqiptarët t’i shtrojnë pyetjen vetes: çfarë krimi ka kryer Ervin Salianji që ndodhet në burg, në qeli.
Çfarë krimi bëri ky deputet i ri që me guxim u tha shqiptarëve se krimineli, Gerond Xhafa nga Vlora, në vend se të ishte në burg në Itali, drejtonte trafiqe drejt Italisë nën mbrojtjen e vëllait të vetë, Faqezi Xhafa.
Ervin Salianji, me guximin e një politikani të vërtetë bëri publike regjistrimet e një gazetari guximtar, Jetmir Olldashi, në të cilat faktonte se Gerondi i Xhafës, jo merrej me trafiqe por merrej me tonelata e tonelata trafiqesh.
Dhe e vërteta është që, Gerondi në një mëngjes herët u detyrua të nisej drejt derës së burgut në Itali, ndërkohë faqeziu i tij ministër dha dorëheqjen për të nisur hakmarrjen me Edi Ramën ndaj Ervin Salianjit”, tha Berisha.
Ndër të tjera, kreu demokrat shprehet se Salianji meriton dekoratë për shërbimet që i ka bërë vendit.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare, cilido që ju kujton këtë betejë, ishte Edi Droga, Edi Rama që do të deklaronte se ditën që u nis në Itali për në burg, se zëri i tij ishte i falsifikuar, dhe se unë kam të dhëna të sigurta për këtë. Në një kohë që për 24 orë nuk ekziston laborator mbi tokë që të mund të garantojë se i kujt është zëri.
Dhe e vërteta është se, përgatitet për këtë një kriminel ordiner, e paguan për dënimin që do bënte 100 mijë euro për vit burgu dhe deklaroi se zëri ishte i tiji. Por laboratori në Londër përjashtoi në mënyrë kategorike se zëri ishte i tiji. Deklaroi se zëri ngjasonte plotësisht me zërin e Babales dhe Gerond Xhafës.
Të dashur miq, me gjithë këtë shërbim, sot në vend të një dekorate për shërbimet që i bëri vendit, ai është në qelitë e burgut Fier për një vepër penale që nuk e ka kryer kurrë, për një akt kriminal që nuk e ka kryer kurrë nga një drejtësi kriminale që instaloi në Shqipëri Edi Rama me Xhorxh Sorosin dhe mafien e tin ndërkombëtare.
Me këtë drejtësi për të cilën, mos harroni kurrë, për herë të parë në historinë e një vendi ish-ambasadori, Donald Lu protestonte me megafon para parlamentit me të paguarit e Xhorxh Sorosit kundër opozitës për të votuar ligjet e saj”, tha Berisha.