Një tokë bujqësore e sapo punuar, një rrethim i nisur dhe i shkatërruar, njolla gjaku në asfalt dhe vegla pune të përfunduara në kanal.

Kjo është ajo çfarë ka mbetur në vendngjarje 24 orë pas sherrit masiv në fshatin Shetaj të Ishmit, ku mbetën të përfshirë shumë persona, 8 prej të cilëve të arrestuar tashmë nga policia e Durrësit, mes të cilëve ish-deputeti Mark Frroku, një i shpallur në kërkim dhe një tjetër i ndjekur penalisht në gjendje të lirë.

Ditën e dielë, policia e Durrësit njoftoi se “shtetasit Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka,, banorë të fshatit Shetaj, janë konfliktuar me sende të forta me shtetasit Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda, Martin Lazeri., përfaqësues të kishës françeskane, të cilët po bënin rrethimin e një sipërfaqeje toke në zonë, për të cilën kanë certifikatë pronësie. Si pasojë e konfliktit, shtetasit e përfshirë në konflikt kanë pësuar dëmtime fizike”.  

Policia gjeti në vendin e ngjarjes një gëzhojë arme zjarri, që dyshohet se i përket shtetasit Besnik Toma“.

Në dëshminë e tij në polici, Mark Frroku ka thënë se nuk ka dijeni për personin që ka qëlluar me armë zjarri dhe ka mohuar përfshirjen e tij në konfliktin për pronat në Kepin e Rodonit, duke thënë se ka qenë i pranishëm për shkak të angazhimit me disa përfaqësues të Kishës.

Parku i Kepit të Rodonit ndodhet nën kontrollin e Kishës Franceskane, e cila ka vendosur traun dhe merret me administrimin e zonës. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim, pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, të përfituar me ligjin 7501.