Nga Andi Bushati

Vetëm pasi ke dëgjuar përgjimet e publikuara këtë të mërkurë nga gazeta gjermane “Bild”, e kupton se përse ajo e quajti Shqipërinë një shtet gangsterësh. Të pesta fragmentet e atyre bisedave, që i përkasin dosjes së famshme 339/1, tregojnë shumë më tepër sesa thjesht vjedhja e zgjedhjeve nga një bandë e trafikut të drogës në bashkëpunim me Partinë Socialiste.

Aty rrëfehet se si klani kriminal i Avdylajve komandon të gjithë piramidën shtetërore, duke nisur nga drejtorët e ujësjellësit dhe hipotekave e deri tek ata të bashkive në Durrës dhe Shijak.

Aty kuptojmë se ky klan kalon nëpër duart e tij të gjithë punonjësit e ujësjellësit për të dedektuar ndonjë PD-ist që mbahet ende me rrogë dhe për t’i treguar qejfin me mënyra aspak xhentile nëse nuk e kthen votën.

Aty mësojmë se banditët e dinë më para publikut, madje edhe vetë socialistëve, listën e deputetëve të qarkut dhe se ata kanë aty njerëzit e tyre.

Aty ndërgjegjësohemi se, si shpërblim për këtë vjedhje të zgjedhjeve, ata kanë marrë në dorë të gjithë shtetin duke urdhëruar INUK-un të heqë gjobat dhe duke zgjidhur punë në zyrat e hipotekave.

Aty konfirmojmë se lidhja e tyre me kryebashkiakun Dako, nuk është thjesht një indicie, ashtu sikurse përpiqet të fshihet pas gishtit Edi Rama, por një marrëdhënie e fortë e ngjizur mbi mëkatin dhe krimin.

Aty vërtetojmë se ata janë direkt të lidhur me interesat e kryeministrit, të cilit ia dinë të gjithë axhendën e udhëtimeve jashtë dhe ndaj të cilit zotohen se do ta surprizojnë duke i dhuruar një rezultat elektoral dhjetë me zero.

Po t’i ndërlidhësh edhe këto përgjime të publikuara sot në Gjermani, me ato të botuara më parë në Shqipëri, ku flitej për blerje direkt të votave të durrsakëve dhe ku në fund Vangjush Dako i falenderonte Avdylajt për misionin e përmbushur, nuk ka më asnjë dyshim, se në zgjedhjet e 2017-s në Durrës, as nuk ka garuar, as nuk ka fituar PS-ja, por një bandë e strukturuar trafikantësh droge, që ka kapur krejt shtetin, sipas shprehjes së preferuar të Edi Ramës: “Vjedhin votat për të vjedhur Shqipërinë dhe vjedhin Shqipërinë për të vjedhur votat”.

Pra pasi ke dëgjuar përgjimet tronditëse të “Bilid”, problemi nuk është më të debatosh ashtu sikurse na fton kryeministri për të kuptuar nëse ajo është thjeshtë një sallatë fjalësh apo një vepër kriminale që duhet hetuar.

Ky fakt tashmë ekziston dhe s’ka mendje, sado e marrë qoftë, të mos besojë se në Durrës ka ndodhur batërdia.

Pyetja që shtrohet tani është: A ka ndodhur vetëm në qytetin bregdetar, apo është përhapur në të gjithë Shqipërinë i njëjti fenomen që shkatërroi zgjedhjet e 2017-s?

Ashtu sikurse bënë pas publikimit të artikullit të parë të “Bild”, kur nga selia rozë Blerina Gjylameti e quajti të blerë nga opozita dhe Rama një sallatë fjalësh, socialistët do të përpiqen të sajojnë alibi të reja.

Por ata do e kenë shumë të vështirë të bindin ndokënd se fenomeni ndodhi vetëm në feudin e Gjushit, se aty qenkësh zhvilluar një projekt pilot për të parë efikasitetin e bashkëpunimit të krimit me politikën në zgjedhje.

Ajo që dëgjuam me veshët tanë na bën të besojmë se të njëjtën skemë, me të cilën u kapën në përgjime, socialistët e kanë vënë në punë në të gjithë vendin. Prandaj ata e morën për vete të gjithë tepsinë dhe prandaj Bild i quan një shtet gangsterësh.

©Lapsi.al