Ora 18.00 duhet t’i gjente të gjithë brenda, pasi ditën e sotme hynin në fuqi gjobat nëse konstatoheshin qytetarë duke lëvizur në këmbë në rrugët e Durrësit.
Por çfarë ndodhte nëpër qytet pas orës 18.00?
Fotografi Denis Simaku ka bërë një vëzhgim nëpër rrugët kryesore dhe siç duket edhe nga pamjet filmike kishte ende qytetarë që qarkullonin në këmbë, megjithëse afati i hyrjes në fuqi të “shtetrrethimit” kishte nisur.
Gjithsesi, ajo që vlen të theksohet është fakti se ndryshe nga orët e paradites kur nëpër rrugët e Durrësit ishin të shumtë qytetarët që lëviznin për të kryer punët e tyre, blerjet e nevojshme apo edhe për të shëtitur pak pas izolimit të gjatë, pas orës 18.00 qyteti dukej thuajse tërësisht i zbrazur.
Ndërkohë, në bulevardin kryesor të qytetit kishte ende lëvizje automjetesh edhe pse ora shënonte 18.15.
Një ditë më parë, kryeministri Rama bëri të ditur përmes një statusi në rrjete sociale se duke nisur nga dita e hënë ndalohet lëvizja më këmbë në gjithë Shqipërinë pas orës 18:00.
Sipas kreut të qeverisë, nga dita e martë, me urdhër të ministres së Shëndetësisë do të hyjnë në fuqi dhe gjobat për këmbësorët dhe për ata që ulen në parqe apo mjedise të tjera.





