Lënia e mandatit nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli nuk do të kishte asnjë pasojë bllokuese për jetën parlamentare, por thjesht do të pasohej me zëvendësimin e tyre me emrat pasues në listë.

Ish-nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, sqaron për “Shekullin”, procedurat ligjore në rastet kur deputetët vendosin të lënë mandatin. Edhe nëse do të kishte një vendim në grup për të lënë mandatin, Subashi sqaron se sërish zgjidhja do të ishte rast pas rasti, për sa kohë ligji nuk njeh lënien e mandatit në grup. Në këtë rast, shton ajo, zgjidhja mund të ishte vetëm politike.

Në rast se do të kishim një vendim në grup nga demokratët për të lënë mandatin gjithë deputetët, si do të procedohej? Cilat do të ishin pasojat në një rast të tillë?

Lënia e mandateve do të shqyrtohet një nga një për secilin. Ligji nuk njeh dorëheqje në grup. Kjo është zgjidhja ligjore. Për zgjidhjet politike unë nuk kam një përgjigje.

Nëse rast pas rasti kandidatët nuk pranojnë mandatin deri në shterim të listës, ka një zgjidhje ligjore? Vendi mbetet pa opozitë apo shkohet në zgjedhje?

Unë bazohem te shpjegimi i ligjit dhe procedurave që parashikohen për lënien e mandatit nga deputeti dhe zëvendësimin e tij. Të shkosh në zgjedhje të parakohshme është një vendim politik, qoftë edhe për arsyen që ju më pyesni.

Marrë nga “Shekulli”