Qindra fluturime dhe udhëtime me tren u anuluan në Japoni për shkak të tajfunit Abil, që goditi Tokion.

Ky është tajfuni i shtatë që godet Japoninë për vitin 2024, të cilin Agjencia Meteorologjike Japoneze (JMA) e ka përshkruar si “të fortë”.

Tajfuni pritet të kalojë zonën e Tokios, ku jetojnë rreth 40 milionë njerëz, të premten më 16 gusht dhe më pas të lëvizë drejt bregut të Paqësorit.

Linjat ajrore dhe hekurudhat po marrin masa emergjente për shkak të uraganit. Më konkretisht, Japan Airlines tha se do të anulonte 191 fluturime të brendshme dhe 26 fluturime ndërkombëtare, disa prej të cilave ishin planifikuar të mbërrinin ose niseshin nga aeroporti Haneda i Tokios të premten. Linja ajrore vlerësoi se anulimet do të preknin rreth 38,600 klientë.

All Nippon Airways (ANA ) njoftoi anulimin e 280 fluturimeve të brendshme të premten, të cilat tha se do të preknin rreth 60,400 pasagjerë që kishin planifikuar të fluturonin në zona të tilla si Osaka, Fukuoka dhe Okinawa.

Hekurudha Qendrore e Japonisë tha se do të anulojë të gjitha shërbimet e trenave midis Tokios dhe qendrës industriale të Japonisë, Nagoya, të premten.

Shërbimet e trenave në linjat Tohoku, Yamagata dhe Joetsu Shinkansen do të funksionojnë me orare të reduktuara nga ora 11:00 e së premtes.

Shërbimi i motit i vendit paralajmëroi banorët e Japonisë lindore se do të përballen me stuhi, dallgë të larta, shi të dendur dhe rrëshqitje të mundshme dheu nga tajfuni Abil, ndërsa roja bregdetare japoneze u kërkoi anijeve të mëdha të shmangnin daljen në det.