Komisionerja Publike Irena Nino ankimoi të mërkurën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin për konfirmin në detyrë të gjyqtarit Juljan Haxhiu dhe kërkon shkarkimin e tij për shkak të problemeve të pasurisë dhe përfitimit të një kredie të butë përmes veprimeve në dukje fiktive.
Haxhiu u konfirmua me shumicë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në 7 qershor 2024. Trupa e KPK që shqyrtoi dosjen e tij u nda në vlerësimin përfundimtar për mënyrën e përfitimit të një kredie me kushte lehtësuese. Kryesuesja Alma Faskaj dhe relatorja Pamela Qirko i gjetën bindëse shpjegimet e subjektit, ndërsa anëtarja Xhensila Pine në pakicë çmoi se Haxhiu gjendet në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia, për arsye të veprimeve fiktive të kryera për kredinë e butë.
Vendimi i KPK-së për të konfirmuar Haxhiun është gjetur i padrejtë edhe nga Komisionerja Publike Nino. Në ankimin për këtë çështje Nino kërkon shkarkimin e Haxhiut. “Ndryshimin e vendimit nr. 773, datë 7.6.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Juljan Haxhiu”, thuhet në ankim.
Në argumentet e paraqitura Nino, njësoj si pakica në Komision vë në dukje se Haxhiu dukej që kishte përfituar kredinë e butë edhe pse nuk i përmbushte kushtet për përfitimin e saj.
“Transaksionet e sipërcituara të kryera nga subjekti, në vitin 2013, konfirmojnë jo vetëm faktin e posedimit të pandërprerë të kësaj pasurie nga ana e subjektit të rivlerësimit që nga viti 2007, por dhe fiktivitetin e veprimeve ligjore të kryera mes palëve, pasi ato rezultojnë se janë kryer vetëm për t’iu paraqitur bankës në funksion të përfitimit të kredisë me kushte lehtësuese”, thuhet në ankimin e Ninos.
Nino argumenton se veprimet e kryera nga subjekti i rivlerësimit, në funksion të përfitimit të kredisë me kushte lehtësuese, për qëllim përfitimin financiar, janë në kontradiktë me sjelljen që pritet nga një gjyqtar.
Po ashtu Komisionerja Publike gjen problematike mosdeklarimin e një sipërfaqeje toke nga ana e Haxhiut.
Juljan Haxhiu përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Mirditës. Ai u transferua në Gjykatën e Lezhës në vitin 2008 dhe prej 2011-ës e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës.