Aeroporti i Kukësit ka ndaluar së funksionuari.
Sipas faqes së tyre të internetit, shërbimet në aeroportin e Kukësit janë ndalur plotësisht që prej 21 tetorit të këtij viti, pa asnjë fluturim të planifikuar.
Qeveria shqiptare njoftoi se aeroporti do të vihej në funksion vetëm pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të prillit 2021. Lajmi u bë i ditur në një tubim të Partisë Socialiste nga ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku.
Edhe kryeministri Edi Rama postoi në të njëjtën ditë një foto të godinës së aeroportit dhe u bëri thirrje shqiptarëve në Londër që të përgatiten për fluturimin e parë për t’i sjellë në shtëpi në Kukës.
Një telefonatë e kryer me shërbimin në këtë aeroport ka zbuluar se aeroporti jo vetëm që është i mbyllur, por do të hapet në verë.
“Aeroporti i Kukësit është i mbyllur, nuk ka fluturime”. Kur u pyetën se kur do të hapej, ata thanë: “Ndoshta në verë, ndoshta jo, nuk kam asnjë informacion për këtë”.
Por drejtori Progonati shprehet se fluturimet e programuara janë ndërprerë dhe se mund të rinisin në fund të shkurtit të ardhshëm.