Policia e Durrësit ka reaguar pas ngjarjes së denoncuar nga Sali Berisha, që bën fjalë për aksidentimin të një të riu në Ishëm.
Burime nga Policia, sqarojnë ngjarjen për "DurrësLajm", e cila dyshohet se ka qenë aksidentale. Ngjarja ka ndodhur më 28 qershor dhe dyshohet se i riu është rrëzuar.
SQARIMI I POLICISË:
Ngjarja ka ndodhur më 28 qershor në shkollën e Ishmit. Materialet në prokurorinë e Krujës janë referuar që më 28 qershor. Ngjarja dyshohet për aksidentale.
Janë marrë në pyetje shokët e të riut nga komisariati i Fushë-Krujës dhe ata kanë thanë se kanë qenë një grup me djem të cilët kanë pirë alkool deri në orët e para të mëngjesit. Më pas janë shpërndarë në shtëpitë e tyre.
Dyshohet që i riu ka hipur në çatinë e një kioske që gjendet pranë shkollës së Ishmit dhe të jetë rrëzuar kur e ka zënë gjumi. Ngjarja është dyshuar aksidentale sepse nisur nga provat materiale në vendin e ngjarjes, këpucët e të riut janë gjetur në çatinë e kioskës, aty ku i kishte hequr para se ta zinte gjumi.
Djali është nisur në spitalin e Fushë-Krujës dhe më pas tek i Traumës. Hetimet vazhdojnë nga prokuroria e cila ka administruar të gjitha provat dhe dëshmitë e mbledhura.
Nga dëshmitë që kanë dhënë shokët e tij bashkëmoshatarë nuk ka rezultuar që i riu të ketë patur konflikte.





