Një ditë pas nisjes së procedimit penal ndaj një mjeku në Durrës për neglizhencë mjekësore, që dyshohet se çoi në humbjen e jetës së një foshnje, spitali Rajonal i Durrësit ka ngritur komision për këtë rast.
Drejtoria e spitalit në një komunikim me “DurrësLajm”, bëri të ditur se “është ngritur komision për të bërë oponencën e kartelës mjekësore nga ana klinike sipas protokolleve mjekësore”, ndërsa nuk jepen detaje të tjera rreth ngjarjes në fjalë.
“DurrësLajm” u interesua edhe në maternitet për të mësuar më shumë mbi rrethanat që çuan në humbjen e jetës së foshnjës, por tregohen mjaft të rezervuar në dhënien e detajeve për ngjarjen.
Policia e Durrësit informoi një ditë më parë se ka referuar materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin I. Sh., 43 vjeç, banues në Durrës, me detyrë mjek në Spitalin Rajonal Durrës, pasi ka kallëzuar shtetasja A. B., se më datë 19.02.2026, ka lindur foshnjën e saj në maternitetin e këtij spitali dhe pretendon se për shkak të neglizhencës së mjekut, foshnja ka humbur jetën pas disa orësh.





