Një hetim ka nisur ndaj spitalit në qendër të Londrës, ku princesha Kate Middleton u operua dhe u trajtua për disa ditë.

Hetimi ka nisur pas raporteve se stafi i spitalit u përpoq të shikonte të dhënat mjekësore private të Princeshës së Uellsit.

Sipas “Mirror”, një anëtar i stafit pretendohet se ishte kapur duke u përpjekur të hynte në shënimet e familjes mbretërore.

Kujtojmë se Kate ishte disa ditë e shtruar në spital, pasi ajo iu nënshtrua një operacioni abdominal, dhe që atëherë nuk ka marrë pjesë në asnjë angazhim publik.

Një zëdhënës i Zyrës së Komisionerit të Informacionit (ICO) tha të martën: “Kemi marrë një raport shkeljeje dhe jemi duke vlerësuar informacionin e dhënë”.

Drejtuesit e spitalit thuhet se kanë kontaktuar Pallatin Kensington pasi shkelja e dukshme doli në dritë.

Klinika refuzoi të komentonte mbi pretendimet, duke thënë për Mirror: “Besojmë fuqishëm se të gjithë pacientët tanë, pavarësisht statusit të tyre, meritojnë privatësi dhe konfidencialitet të plotë në lidhje me informacionin e tyre mjekësor”.