Kryeministri Edi Rama nisi sot turin “Për punët e Shqipërisë” me kryebashkiakët. Siç u njoftua edhe më herët, takimi do mbahej në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve.
Ndërkohë Rrok Dodaj, kryetari i bashkisë së Pukës ka deklaruar se nuk u lejua të marrë pjesë në mbledhje. Ai ka konfirmuar se ka pasur ftesë për të marrë pjesë në takim përmes emailit, por nuk është lejuar të futet në ambientet e Pallatit të Kongreseve për shkak se nuk kishte emrin në listë.
Sipas tij, është kontaktuar nga Partia Socialiste dhe i kanë shpjeguar se ftesa i është dërguar gabimisht nga sekretarja. Më tej bëhet me dije se, disa prej kryetarëve demokratë pranojnë se kanë marrë ftesë, ndërsa të tjerë thonë se nuk janë ftuar.
Ndërkohë, Miftar Dauti, kryetar i Bashkisë së Hasit dhe Albert Mëlyshi i Mirditës thonë se nuk kanë marrë ftesë. Nga ana tjetër ka konfirmuar se ftesa u është dërguar vetëm kryebashkiakëve socialistë. Kjo përplasje në takimin me Kreun e Qeverisë ngre shumë pikëpyetje në lidhje me organizimin e mbledhjes, duke vënë gjithashtu në dyshim arsyet e takimit.





