Nga Osman Metalla
Kryeministri Rama ka përgatitur një pyetësor për një numër cështjesh të rëndësishme nëpërmjet të cilave kërkon të marrë mendimin e Shqiptarëve!
Një veprim i cili në pamje të parë kënaq çdo qytetar dhe e bën të ndjehet i rëndësishëm, dhe pjesë e vendim-marrjes dhe e qeverisjes. Po çfar nënkupton në vetvete një mënyrë e tillë qeverisëse?
Një qeverisje është në krye të vëndit si pasojë e besimit popullor, dhe bazuar në rezultatet qeverisëse krahasuar dhe me premtimet e bëra në momentin kur ka kërkuar besimin, merr dhe vlerësimin nga votëbesuesit. Pikërisht për shkak të besimit të marrë, qeverisjet janë të detyruara të japin llogari për përmbushjen e atyre premtimeve dhe objektivave që kanë marrë përsipër dhe mbi bazen e të cilave u është falur besimi. Për të shmangur llogaridhënien, streha më e mirë është populizmi. Populizmi përjashton llogaridhënien! Në një studim të Institutit për Demokraci dhe Asistence Zgjedhore (IDEA) vërehet se vitet e fundit ka një rritje të numrit të qeverive populiste që tashmë janë në pushtet. Studimi përcakton dhe shkaqet kryesore që çojne drejt politikave populiste si:
§ Dobësite që pasuan krizën financiare të vitit 2008
§ Rritja e klasës së mesme në rajone të tilla si Europa qëndrore Lindore, Azia dhe Amerika latine
§ Perceptimi për dështimin e demokracive (sa i përket performancës ekonomike, reduktimit të pabarazive sociale dhe të korrupsionit)
§ Dobësitë në rritje të shkaktuara nga transformimi teknologjik i tregut të punës,
§ Globalizimi dhe humbja e kontrollit kombëtar në vendimmarrjen politike,
§ Reagimi nga valët e emigracionit në Europë Amerikën Latine dhe Ameriken e Veriut
Këto ishin disa nga shkaqet ekonomike të populizmit, për të vijuar me disa shkaqe politike si më poshtë:
§ Krizat e përfaqësimit të partive politike dhe tradicionale
§ Një klasë e mesme më e vëmëndëshme ndaj politikës me pritshmëri më të larta për rezultatet e demokracisë
§ Më shumë mobilizim politik, protesta dhe aktivizëm social,
§ Fragmentarizim dhe polarizim i sferës politike i përforcuar nga media sociale
§ Transformim i kulturës politike me avancimin e teknologjisë së informacionit dhe me rritje të fokusit të individit.
Studimi I IDEA-s, arrin në konkluzionin se populizmi po shkakton një regres në kontrollin demokratik ndaj qeverive të zgjedhura në rrugë demokratike. Shpeshhere nxitet nga çmontimi (shpërbërja) i qëllimshëm i mekanizmit të llogaridhënies. Tashme janë më shumë se 10 vënde të cilat kanë pësuar regres në principet demokratike qeverisëse dhe rastet më tipike janë Hungaria, Polonia, Rumania, Serbia dhe Turqia. Të gjitha këto vënde përshkruhen nga analistët se po drejtohen nga Populistë. Po Shqipëria?