Tiranë, 24 qershor 2014 – Shqipëria mori sot statusin e vendit kandidat, duke u bërë kështu zyrtarisht kandidat për një vend në Bashkimin Evropian. Por çfarë përfiton në praktikë vendi ynë nga marrja e statusit?
Duke qenë një vend kandidat ka një serë ndikimesh në Shqipëri. Në rradhë të parë, ky është një sinjal i rëndësishëm politik për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, duke treguar se vendi po lëviz në fazën tjetër të procesit të integrimit evropian.
Nga këndvështrimi ekonomik, statusi i kandidatit do të inkurajojë investimet e huaja, si rezultat, do të çojë në krijimin e vendeve të reja të punës.
Statusi i kandidatit ngre marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së në një nivel më të lartë. Shqipëria tani do të marrë ftesa për mbledhjet e hapura të Këshillit për vendet kandidate. Qasja e saj dhe bashkëpunimi me agjencitë e BE-së do të jetë më e lehtë: për shembull pjesëmarrja e saj në Agjencinë e të Drejtave Themelore të Njeriut si vëzhgues. Mund të ngrihen Komisionet e përbashkëta midis Shqipërisë dhe Komitetit të Rajoneve, si dhe Komitetit Ekonomik dhe Social . Si vend kandidat, Shqipëria do të vazhdojë të përfitojë nga fondet e BE-së në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para-Aderimit, i njohur ndryshe si (IPA), me qëllim kryerjen e reformave të gjithanshme dhe investimeve strategjike. Shqipëria do të përfitojë po ashtu edhe nga pjesëmarrja në programet e BE-së.
Nga ana tjetër në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit, Komisioni Evropian do të vazhdojë të punojë ngushtë së bashku me Shqipërinë për të mbështetur reformat e saj dhe ta përgatisë atë për hapin tjetër në procesin e integrimit, përkatësisht hapjen e negociatave për anëtarësim.
Hapja e negociatave, varet nga përparimi i mëtejshëm dhe qëndrueshmëria e reformave në Shqipëri. Marrëveshja nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së është gjithashtu e nevojshme.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





