As 200 tifozë për të ndjekur Teuta-Luftëtari, me orarin që ndoshta ishte i papërshtatshëm. Në tribunën qendrore nuk munguan ish-lojtarët e dy skuadrave, por edhe ata që e kishin të pamundur të luanin dje. Ja të gjitha pikantet e ndeshjes. 

* Si zakonisht, drejtuesit e Teutës, Edmond Hasanbelliu dhe Ardian Bardhi, e ndoqën ndeshjen së bashku në tribunën VIP. Ndërsa pak metra larg tyre qëndroi edhe presidenti i Luftëtarit, Grigor Tavo. 

* Të pranishëm në tribunën qendrore ishin shumë futbollistë të Teutës dhe Luftëtarit ndër vite. Mes tyre dalloheshin Edi Martini, Bledar Mancaku, Bledar Hodo, Vladimir Ajazi, Markeljan Xhai etj.. Gjithashtu edhe mbrojtësi durrsak i Luftëtarit, Rustem Hoxha, i cili nuk luajti dje për shkak dëmtimi, e ndoqi takimin nga shkallët e stadiumit. Edhe Ditmar Bicaj, i cili ishte i pezulluar, u pa me disa miq të tij. 

* Julian Ahmataj rikthehej në Durrës si kundërshtar, pasi jo vetëm ka luajtur me Teutën, por edhe e ka drejtuar këtë skuadër tri sezone më parë në ndeshjet e Ligës së Europës kundër Kairat Almati. 

* Në minutën e 10-të Ahmataj kapet me Filin. “O Realdo, po bëj more djalë presing te kundërshtari!”, – ishte britma e trajnerit.

* Kur duheshin edhe 10 minuta para se të niste takimi, mesfushori i Teutës, Armando Vajushi, i projektuar për të qenë titullar, pësoi një dëmtim në nxehje. Menjëherë stafi i Teutës ndryshoi protokollin dhe aktivizoi në vend të Vajushit shkodranin tjetër, Vecajn. 

* Pa kaluar 2 minuta lojë, mesfushori i Luftëtarit, Maldin Ymeraj, pësoi një tërheqje në kofshë dhe u zëvendësua. Thuajse të njëjtin problem, pa u mbyllur pjesa e parë, pati edhe Traore i Teutës.