Shijaku në prag të binjakëzimit me qytetin Mostar të Bosnje Hercegovinës. Promotor të kësaj lidhje Fiqiri Kllari dhe Ramiz Jelovac. Ditë të paharruar në qytetin martir të Mostarit
Nga Mostari ekskluzive nga BUJAR QESJA
Kemi përjetuar çaste shumë të bukura, të veçanta dhe pse jo edhe emocionale në prekjen e tokës bosnjake nga 3 deri më 6 tetor 2013. Shkas u bë një ftesë e ardhur nga qyteti martir i Mostarit, për të marrë pjesë pikërisht në këtë periudhë në turneun ndërkombëtar të minifutbollit që organizohej me prezencën e disa shteteve evropiane. E kopsitur mjaft mirë nga organizatorët idea për të mbledhur në Mostar, komunitetet bosnjake nga Shqipëria, Gjermania, Austria, Kroacia dhe Serbia, duke mos përjashtuar edhe vendasit dhe të ndesheshin njëri me tjetrin me ekipe minifutbolli. Ky Mostar që përjetoi momente deçizive të ekzistencës së tij në periudhën 1990-1993, në çastet më inkurajuese të kthjellimit dhe ndërgjegjësimit, provokon ndoshta nga evenimentet me kuptimplote për t’i bërë thirrje arsyes se paqja vlen më shumë se armiqësitë, ndasitë dhe egërsia nacionaliste. Nënshkruesi i këtij materiali, e rroku ftesën e bërë nga Konsulli i Përgjithshëm i Bosnjes në Shqipëri, njeriu zotni dhe fisnik Fiqiri Kllari, pikërisht për të qenë dëshmitar i këtij sinjali pajtimi të bindur në hapjen e faqeve të reja dhe inkurajuese të bashkëekzistencës ndërmjet etnive kroate, serbe dhe bosnjake. Por ishim fatlum që vëmëndja e Fiqiri Kllarit, nuk kishte lënë pa përfshirë në delegacionin sportiv dhe jo vetëm të tillë edhe Nderin e Sportit Shqiptar, një nga figurat më emblamatike të këtij sporti emrin nderues të Isa Tares, si dhe të kryetarit të Bashkisë së Shijakut, të mirin Indrit Buka. Me mikrobusin e tij Fiqiri Kllari kishte vendosur ekipin e minifutbollit, të përbërë kryesisht nga bosnjakët e sektorit Borake dhe të Shijakut, pse jo edhe nga homologë të tyre nga Durrësi. Ndeshjet priteshin me kërshëri, duke rrokur së pari miqësinë e bosnjakëve të shpërndarë në shumë vende evropiane. Kacafytjet e vitit 1993, të pakuptimta deri në ekzagjerim, duhen harruar, apo të paktën të kujtohen aqsa të godasin “vidat” e memories që jo armiqësisë, por paqes dhe harmonisë njerëzore. Kjo Bosnje meriton shumë, pasi të tria etnitë dhe pse jo edhe të tjera, të jetojnë si vëllezër në tokën e përbashkët. Kjo gjë konstatohej në prag të nisjes dhe gjatë udhëtimit, por që mori përmasa prekëse, tunduese dhe psikologjikisht ngacmuese nga i gjithë delegacioni shqiptaro bosnjak i Shqipërisë.
Alija Izetbegoviq
Pse veprimtarisë ndërkombëtare të minifutbollit, iu vendos emri Alija Izetbegoviç? Ndonëse 10 vite nga vdekja e tij, Izetbegoviçi trajtohet si një hero dhe legjendë nga populli bosnjak. Madje kur u ndodhëm në Mostar, opinioni se : “nëse nuk do të ishte Alija Izetbegovi, Bosnja do të të shuhej”, ishte tejet e kristalizuar. Jeta e tij nisi më 8 gusht 1925 Sarajevë dhe u shua më 19 tetor 2003. Është kryetar i parë i Bosnjës dhe Hercegovinës së pavarur, themelues dhe kryetar i parë i Partisë së Aksionit Demokratik. Në Sarajevë u shkollua dhe jeton që nga viti 1927. Studimet i filloi për agronomi, ndërsa më 1954 kaloi në fakultetin juridik. Diplomohet më 1956, ndërsa me 1962 dha provimin e avokaturës. Alija Izetbegoviqi rridhte nga një familje myslimane, me prejardhje nga Beogradi. Gjyshi i tij Alija, emrin e të cilit ka trashëguar la Beogradin në vitin 1868, vit kur të gjithë myslimanët braktisën Beogradin dhe u vendos në Bosanski Shamac. Ai ishte për një kohë të gjatë kundërshtar i flakët i komunizmit dhe për aktivitetet e tij pan-islamike dy herë u burgos nga regjimi totalitar i Jugosllavisë. Herën e parë më 1946 si anëtar i organizatës "Myslimanët e Rinj", me tre vjet burgim dhe më pas në proçesin e njohur të montuar gjyqësor më 1983 u dënua me 14 vjet burgim. Në vitin 1990 u zgjodh kryetar i Partia e Aksionit Demokratik. Po në atë vit në zgjedhjet shumëpartiake kjo parti fitoi mbi komunistët . Ai u bë president i Bosnjës dhe Hercegovinës. Gjatë holokaustit që përjetuan myslimanët gjatë viteve '90-'95 Izetbegoviqi qëndroi në mesin e tyre, pa lëshuar zyrën dhe apartamentin e tij. Pas presioneve ndërkombëtare dhe vuajtjeve të mëdha që populli i tij po i përjetonte, në nëntor të vitit 1995, u detyrua të nënshkruaj marrëveshjen e Dejtonit për paqe që de fakto ndau Bosnjën dhe Hercegovinën. Në shtatorë 1996 ai u rizgjodh president i presidencës treanëtarësh të Bosnjës. Më 1999, shpalli vendimin e tij për dorëheqje nga posti i presidentit të Bosnjës. Alija Izetbegoviq është gjithashtu edhe mendimtar dhe shkrimtar i respektuar. Ai është i mirënjohur për librin e tij "Islam ndërmjet lindjes dhe perëndimit", që i cilësuar si më i miri i viteve të 80-të. Alija Izetbegoviq shumë i respektuar nga bota perëndimore, si ideolog dhe shkrimtar i madh, është fitues i Çmimit për të Drejtat e Njeriut i qytetit të Izmirit (1994), është dekoruar me medaljen kroate "Mbretëresha Katarina" (1995), më 1997, Doktor Nderi i Universitetit Marmara të Stambollit, Doktor Nderi i Universitetit të Riadit, Medaljen e Lirisë e Republikës së Turqisë, më 1998, Medaljen e Pavarësisë të Katarit dhe Kartën e Paqes të Ligës Ndërkombëtare Humaniste, shpërblimin e Forumit "Crans Montana" për promovimin e të drejtave të njeriut (1999). Për nder të këtij burri shquar të Bosnje Hercegovinës, Bashkia e Mostarit organizoi të parin turne ndërkombëtar në minifutboll, ku pati nderin e përfaqësimit edhe ekipi i Erzenit të Shijakut.
Erzeni mundi gjermanët dhe bindi organizatorët
Bashkia e Mostarit në Republikën e Bosnjes Hercegovinës, për herë të parë organizoi në këtë qytet turneun ndërkombëtar të futbollit të sallës. Kjo nismë e organizatorëve është për t’u përshëndetur, pasi tenton edhe njëherë jo vetëm në evidentimin e vlerave kulturoro sportive të këtij komuniteti, por edhe të rilindjes së lidhjeve miqësore të bashkëjetësës ndërmjet bosnjakëve, serbëve dhe kroatëve. Me mbështetjen financiare dhe organizative të njeriut të mirë dhe fisnik Fiqiri Kllari, me cilësinë edhe të Konsullit të Përgjithëm të Republikës Bosnjake në Shqipëri jo vetëm mundësoi përfaqësimin në memorialin Alija Izetbegoviç me një ekip minifutbolli, por edhe nxiti edhe përgatitjen disa javore të tij. Ekipi përbëhej me sportistë të rinj nga fshati Borake, një nga ngulimet më pikante të pakicës bosnjake në Shqipëri. Kryetari i Bashkisë së Shijakut Indrit Buka, një volejbollist i shquar i Erzenit dhe Teutës, mbështeti nismën e Fiqiri Kllarit për të ngacmuar sa të ishte e mundur, përfaqësimin sa më të mirë në turneun ndërkombëtar të minifutbollit në Mostar. Është kjo arsyeja që ekipit iu vendos emri Erzeni, pasi kështu janë përfaqësuar edhe vite të shkuara në kampionatin kombëtar të futbollit të sallës. Trajner i ekipit u vendos Besim Baçi, i cili pati nga afër edhe mbështetjen teknike të specialistit të kësaj fushe Klodjan Kadiu. Ekipet ishin ndarë në dy grupe. Në grupin A Erzeni ynë ishte së bashku me ekipin e Mostarit MNK Mostar SG, Asko FC Diamant Linc Austria dhe Rozenhajm i Gjermanisë. Ndërsa grupi B përbëhej nga ekipi serb Novi Pazar, ai kroat Metkoviç dhe dy ekipet vendase Banoviçi dhe Grada Mostara. Siç u vu re, turneu ishte shumë i fortë dhe tregoi zhvillimin e këtij sporti në komunitetin bosnjak në mjaft shtete evropiane. Ndeshjen e parë Erzeni e humbi me austriakët e Asko FC Diamant. Në pjesën e parë shijakasit nuk lëshuan. Madje shënuan të parët. 20 minutat e para u mbyllën në barazim 1-1. Ndërsa në të dytën, Diamant tregoi ambicie për fitimin e memorialit Alija Izetbegoviç. Por në ndeshjen e dytë, futbollistët e Erzenit treguan grintë dhe karakter gare. Duke nisur nga portjeri Hektor Psatha, i cili atë ditë festoi edhe 35 vjetorin e lindjes dhe me rradhë edhe më të rinjtë si Ervin Kllari, Armin Kllari, Orgest Kllari, Eugert Shehu, Xhino Saliu, Sokol Kadiqi, Vedran Ceka, Radi Buçpapaj dhe Agron Sabli, treguan se nuk kanë arsyje të dëshpërohen nga humbja me më të fortët. Fitorja ndaj ekipit gjerman 5-1 ishte merituar. Dyshja Ervin dhe Armin Kllari është tejet të talentuar dhe mbetet shtyllë e ekipit. Në ndeshjen e tretë, përballë bosnjakëve shqiptarë ishte ekipi i përgatitur Mostar SG. Kemi shënuar të parët, duke rezistuar në 2-2 me përfundimin e pjesës së parë. Një fitore e mundshme e dërgonte Erzeni në turin gjysmëfinal. Por në pjesën e dytë u zbeh disi treguesi fizik, por edhe kundërshtari e rriti ndjeshëm përfaqësimin. Në fund 5-2 për vendasit. Pavarësisht nga kjo Erzeni e prezantoi mjaft mirë futbollin e sallës në Mostar.
Jelovac dhe Qoriç propozojnë binjakëzimin me Shijakun
Veçanërisht delegacionit të ardhur nga Shqipëria, autoritetet vendase i rezervuan pritje të veçanta, aq sa na e bënë borxh për t’ia shpërblyer me të njëjtën mënyrë kur të shkelin në tokën tonë. Ditën e dytë të vizitës në Mostar, njoftohemi se Kryetari i Këshillit Bashkiak të Mostarit Merat Qoriç po na priste në zyrën e tij. Ishte një seli që sapo ishte bërë pas dëmtimit të asaj të mëparshmes. Qoriç një burrë i bëshëm dhe simpatik, e çfaqi menjëherë respektin dhe vlerësimet për delegacionin tonë sportiv dhe më gjerë. Pasi vlerësoi prezencën tonë në Mostar, na bëri të njohur edhe organizimin për rregjistrimin e popullsisë, përfundimi i të cilit është diku tek data 15 tetor. Qoriç befasoi kur hodhi në bisedime idenë e tij për binjakëzimin me Shijakun, për të planizuar veprimtari në fusha të ndryshme me interes reciprok. Njihet fakti se komuniteti bosnjak është ngulitur etnikisht i pastër në fshatin Borake, në masë më të vogël në Koxhas dhe më tej në Shijak. Vetë Indrit Buka (Bukovac), është bosnjak nga origjina. Detajet e këtij binjakëzimi, u lanë të diskutohen në një rast tjetër, mbase edhe në Shijak pasi Buka ua bëri ftesën e mirseardhjes homologëve të tij bosnjak. Në këtë mes, prezenca dhe angazhimet e Konsullit të Përgjithshëm të Bosnjes në Shqipëri Fiqiri Kllari, janë të një vlere prioritare. Në serinë e takimeve është edhe drekë punë e rezervuar për ne nga kryetari i Bashkisë së Mostarit Ramiz Jelovac. Mikpritja e mysafirit të çmuar, u bë në zonën e njohur turistike të Bllagajt.
Nga Osmane Kllariq tek shtëpia e djegur e Adem Sablit
Nuk kanë të sosur mbresat nga Mostari dhe Bosnja, gjithnjë në raportet miqësore me shqiptarët e ardhur nga Shqipëria. Një kapitull tejet i veçantë, mbetet pritja e bërë nga bosnjaku i njohur i Mostarit Osmane Kllariq, që është edhe një i afërm i Fiqiri Kllarit. Në njërën prej vilave të tij, 20 km larg Mostarit dhe kryesisht në fshatin Stanojeviç në dy raste ai hapi portat e shtëpisë dhe zemrës së tij për miqtë nga Shqipëria. E shoqja e Osmanes, një grua zonjë nga Sarajevo serviri një menu befasuese dhe në shqip na përshëndeti: Mirë se keni ardhë në shtëpinë tonë. Vilat e Kllariqit ishin ndërtuar në pjesën dominuese të fshatit, ku dallon pasuritë private të gjithsecilit nga vendasit. Josip Broz Tito, mjaft i mençur ndonëse Jugosllavia trajtohej si një shtet që i përkiste kampit komunist të lindjes, nuk i kishte prekur pronat dhe pasuritë private. Njerëzit ishin të qetë në këtë pikë dhe falënderonin shumë marshallin për këtë nder që u kishte bërë. Dhe mendova që në Shqipërinë tonë, mungesa e pronës po shoqërohet me rrokopujë dhe vëllavrasje. Është nga problemet më të mprehta të shoqërisë shqiptare. Enver Hoxha tek ne, jo vetëm shoqërizoi pasuritë e përbashkëta dhe mjetet e punës, por zhduku çdo lloj katanie personale duke rrafshuar dhe varfëruar ekonominë shtëpiake dhe familjare të shqiptarëve. Osmane kishte një pasuri të tijin të paluajtshme, ku ndjente kënaqësinë jo vetëm të ajrit të pastër, por edhe të të mbjellave, frutave dhe vreshtarisë, të lepujve dhe shpendëve e deri tek zagarët e shkathët që i duheshin për gjuetinë e derrave të egër. Sa ndjeheshim të kënaqur për këtë mënyrë jetese të Osmane Kllariqit, aq vrënjtoheshim kur mendonim se sa peripeci dhe torturë me vete i duhet çdo shqiptari për të prekur sadopak pronën e tij private. Eh! Pse kaq të pafat dhe të mos jemi as si një Bosnje Hercegovina në këtë pikë, një shtet me probleme etnike por që kërkon të prekë të mirën, paqësoren, të përbashktën. Nga fshati Stanojeviç, shtyhemi disa kilometra më tutje në fshatin Domaneviç. Isa Tare këmbënguli që të shikonte shtëpinë e djegur të mikut të vjetër dhe të paharruar të sportit Adem Sablit. Ky i fundit, nga atletët më të famshëm shqiptarë, arratiset në Serbi teksa kombëtarja shqiptare e atletikës kthehej nga Kina. Ndodhi kjo në verën e vitit 1964. Shtabi i ushtrisë kroate, pasi drejtoi operacionet ushtarake nga shtëpia e Ademit, e dogji atë në vitin 1995 teksa largohej nga Bosnja. Dhe nga lartësia e kësaj gërmadhe i telefonuam Adem Sabli nga Mynihu i Gjermanisë. Dëgjoheshin të qarat e këtij atleti të papërsëritshëm dhe përtej telit erdhi e butë dhe joshëse urimi i tij: Ju faleminderit miqtë e mij. Besoj se shtëpinë një ditë do ta kthej në gjendjen e mëparshme. Është një amanet i tokës së lindur!
Ura e Mostarit vepër arti dhe njërëzore
Nuk mund të bindesh njeri që në se vërtet je ndodhur në Mostar, të mos kesh vizituar urën e famshme të Mostarit. Një vepër arti autentike, që edhe sot e kësaj dite tërheq vëmëndjen e mijra turistëve nga e gjithë bota. Kjo urë është kthyer në pikë referuese e paqtimit të ndjerë, ndërmjet bosnjakëve dhe kroatëve. Ajo lidh pjesën lindore (kroate) me pjesën perendimore (bosnjake). Dëmtimi i saj, trajtohet edhe si minim i marrdhënieve ndëretnike. Ura e famshme turke e Mostarit, është ndërtuar në vitin 1566 mbi lumin Neretva nga nxënësi i arkitekt Sinanit Mimar Hajrudin dhe e shkatërruar nga bombardimi kroat më 1993 dhe e ringritur përsosmërisht me 23 korrik 2004. Këtë vit u organizua edicioni i 447-të ndërkombëtar i garave tradicionale të hedhjes nga ura, i cili u ndoq me interes të lartë nga mijëra spektatorë. Konkuruesit u ngjitën në urën 27 metra të lartë dhe e lanë veten në ujërat e freskëta të lumit. Nëntë vjet me radhë, prej vitit 1557 deri në vitin 1566, nën urdhrat e Sulltan Sulejmanit të Madh, mjeshtëri turk i ndërtimit Neimar Hajrudin punoi për ngritjen e urës së tij. Një urë harkore prej guri, gati 30 metra e gjatë, pa mbajtëse mesi, 30 metra mbi lumin e vrullshëm në ngjyrë blu dhe të gjelbër Neretva, një ndërmarrje e guximshme për atë kohë. Sipas legjendës mjeshtëri Hajrudin, kishte hapur vet varrin e tij në rast se dukej e pamundur që ura të mund të qëndronte me një gjatësi të tillë. Por ajo nuk u rrëzua, një gjysmëhënë prej guri, u bë simbol i qyteti duke i dhënë emrin atij ("Most" që do të thotë urë) si dhe pjesë e natyrshme e rrethinës. Për kohën konsiderohej një mrekulli inxhinierie. Përkundër disa luftërave dhe shumë tërmeteve ura qëndroi 427 vjet. Ajo kontribuoi për mirëqenien e qytetit Mostar nga njëra anë, si rrugë lidhëse e nga ana tjetër si tërheqje turistike. Ura ka përfaqësuar lidhjen midis botës myslimane dhe asaj perëndimore. Me 9 nëntor të vitit 1993 u rrëzua ura e vjetër e Mostarit. Pas disa ditë gjuajtjesh artilerie nga ushtria e kroatëve të Bosnjës, blloqet shkëmbore ranë në Neretvë. Në luftën mes kroatëve dhe boshnjakëve përreth Mostarit, ura e vjetër nuk kishte asnjë rëndësi strategjike. Bëhej fjalë thjeshtë për shkatërrimin e një simboli të kulturës osmane. 11 vjet pas shkatërrimit, mbas 7 vjet rindërtimi dhe shpenzimit të 15 milionë dollarësh të dhuruara nga Unesco, Banka Botërore dhe disa vende donatore, sot ura e Mostarit qëndron përsëri më këmbë. Qytetarët e Mostarit janë të impresionuar me ngjashmërinë që ka ura e re me urën e vjetër. Nuk është çudi : ajo është punuar me saktësi të madhe sipas recetës së vjetër. Secili gur është nxjerrë nga pjesët e urës së shkatërruar dhe është skalitur me dorë. Edhe sot nuk mund të punohet më mirë sesa mjeshtëri Hajrudin, sqaron koordinatori i projektit Rusmir Çisiç. Në rindërtimin morën pjesë 59 shkencëtarë. Për të respektuar delegacionin shqiptar dhe dhjetra turistë të ndodhur në këtë fillim tetori në Mostar, një zhytës vendas bëri një hedhje spektakolare. Foto të panumërta, si shprehje jo vetëm e kënaqësisë që të jepte një prezencë e tillë në këtë urë tejet të veçantë, por edhe të dëshirës së madhe që ajo të luajë sërish rolin e bashkimit ndërmjet popullit mysliman të Bosnjes me atë kroat dhe serb, që jetojnë në një tokë të përbashkët.
Mirupafshim në Gjermani!
Memoriali Alija Izetbegoviç nuk ka për tu ndërprerë edhe në të ardhmen. Të gjithë ekipet pjesmarrëse ranë dakord, që kja veprimtari sportive do të qarkullojë në të gjitha shtetet ku janë prezente komunitetet bosnjake. Kjo në një vit sigurisht mund të bëhet edhe në Borake, në kalçetën e bukur me emrin kuptimplotë Gllavica (kopësht) shprehje e investimit të njeriut të përkushtuar bosnjak në Shqipëri Fiqiri Kllarit. Takimu u la vitin e ardhshëm. Ku? Mirupafshim në Gjermani!





