Dy miqtë më të mirë të Luiz Ejllit, Jon Ndoja dhe Mario Deda, kanë treguar se çfarë u ka deklaruar këngëtari një javë para se të bëhej pjesë e lojës. Madje ata kishin dhe një mesazh për të gjithë fansat e Luizit që janë shprehur kundër Kiarës dhe veprimeve të saj ndaj partnerit, brenda BBV.
Në një intervistë në “Wake Up”, ata thanë se Luizi është në procedurë për bashkim familjar në SHBA, por se pas BBV, kjo ndoshta ndryshon.
Si ka qenë përjetimi juaj pasi takuat Luizin?
Joni: Kur u futëm në shtëpi, nuk kishim shumë emocione por kur erdhi Luizi ndryshoi gjithçka. Pamë një njeri të madh para nesh, ishte rritur, kishte marrë një hije të rëndë. E kisha frikë edhe unë, imagjino ata të shtëpisë.
Mario: Figura, adrenalina dhe energjia që kishte, e kishte shumë të dallueshme. Dukej sikur e kishte lëkurën dy gisht të trashë. Kur na u duk neve kështu, imagjino kur hyn një konkurrent i ri.
E prisnit që Luizi do bëhej kaq i famshëm?
Mario: Se sa është përmasa nuk e dimë ende se nuk ka statistika. Luizi ka fituar “Ethet” dikur dhe ka qenë orar prime time, ka fituar edhe disa festivale, ka shkuar në Eurovizion. Atij nuk i ndodh rastësisht kjo.
Si e shohin miqtë e tij marrëdhënien e këngëtarit me Kiarën dhe lojën e tij? Ja si përgjigjet Mario:
Raporti që ata kanë është zgjedhja e tyre. Ne e shohim shumë bukur për sa kohë që ai është i lumtur, ka gjetur një partnere që e ruan, e tërheq ndonjëherë. Është bukur kur ai e mbron, e dashuron ashtu.
Ju ka thënë ndonjëherë se si do e përdori ai këtë eksperiencë pasi të dalë jashtë?
Joni: Më ka thënë një javë para se të hynte që do ta shtynte sa më shumë që të rifitojë edhe njëherë popullaritetin dhe t’i kthehet muzikës. Por me këtë që i ka ndodhur aty brenda, ai mund të merret me shumë gjëra të tjera.
Po lidhur me situatën e krijuar pasi ai tha se vuante nga një sëmundje e rëndë, çfarë mund të thonë Joni dhe Mario?
Joni: Nuk kam dëgjuar që është i sëmurë, mendoj se ka qenë një moment dobësie. Produksioni nuk mban njerëz të sëmurë brenda, Luizi gëzon shëndet të plotë. Ai e ka thënë që ka bërë gafë të madhe.
Mario: Dikush jashtë e ka fituar “Big Brother” sepse ka thënë që ka një sëmundje të pashërueshme…
A ka thënë Luizi që do të shkojë të jetojë tek familja e tij në Amerikë?
Joni: E ka pasur një variant. Ai është në procedurë për bashkim familjar. Por mendoj se me këtë që i ka ndodhur ndoshta ndryshon.
Çfarë keni për t’i thënë të gjithëve atyre fansave të Luizit që nuk e pëlqejnë Kiarën?
Joni: Unë shoh një konfirmim të Luizit vazhdimisht, sa herë që njerëzit e dyshojnë, ai e rikonfirmon dashurinë që ka për Kiarën. Ai ka treguar që lë edhe lojën për të. Nga njëra anë kanë të drejtë sepse kanë parë disa veprime që nuk u pëlqejnë, por ne duhet të besojmë Luizin.
Mario: Mos ndikoni në jetën e tjetrit, ajo është jeta e tij. Nëse ju pëlqen Luizi, vazhdojmë mbështesim Luizin. Ka aq shumë dashamirës të Luizit, sa i bezdis edhe një mizë që mund të fluturojë në shtëpi./TCH