Moti i acartë shënoi viktimën e parë për këtë dimër në qytetin e Durrësit. Endacaku Viktor Dhima u gjet i vdekur paraditen e sotme në një pallat pranë hyrjes nr.2 të portit si pasojë e motit të ftohtë.

Kjo ngjarje na rikthen dy vite pas, teksa kujtojmë vdekjen e Benit, që revoltoi dhe preku çdo banor të qytetit të Durrësit.

Pas këtij rasti, asokohe policia dhe bashkia, identifikuan 15 endacakë të cilët u strehuan në një hotel derisa kaloi i ftohti që i mori jetën Benit. Fillimisht ata u strehuan në spital e më pas në qendrën ditore, e cila shërbente vetëm për ushqim.

Ishte ndërhyrja e "Fundjavë ndryshe" që i mblodhi dhe i strehoi endacakët bashkë me një familje të pastrehë prej katër anëtarësh, në një hotel te Shkëmbi i Kavajës.

Por teksa këtë vit ende nuk ka reaguar "Fundjavë ndryshe", lind pyetja: Çfarë po bën shërbimi social në bashkinë e Durrësit për endacakët e qytetit??

Përballë një pyetje të tillë, drejtoresha e Shërbimit Social, Meme Xhaferri, zgjodhi të heshtë. E kontaktuar nga "DurrësLajm", Xhaferri preferoi të mos përgjigjej për masat që kjo drejtori ka marrë për identifikimin dhe sistemin e endacakëve; nëse janë strehuar apo do të strehohen në ditët në vijim.

As dy vite më parë nuk kishin një projekt konkret për endacakët e të pastrehët, as këtë vit mesa duket nuk ka ndryshuar asgjë.

Mbase për institucionet përgjegjëse një viktimë nuk mjafton që të merren masa, mbase moti nuk është përkeqësuar mjaftueshëm sa ata të bëjnë detyrën!

Vdekja e Dhimos, Benit, të moshuarës Sofie Qendro, e foshnjes një muajshe gjatë viteve të fundit në Durrës mund të ishte shmangur, nëse do të mernin shërbimet e nevojshme, nëse do të kishin një strehë ku të përballonin të ftohtin që nuk i kurseu.

G.D.