Dy liderët kryesorë Rama dhe Basha kanë zgjedhur ta vizitojnë Durrësin pikërisht të premten, njëri për të prezantuar kandidatët e listës dhe tjetri për t’u bërë të ditur shqiptarëve programin e PD për gratë.
E ndërsa sot nisën edhe incidentet e para në fushatë (përplasja e Metës me policët bashkiakë të Tiranës në selinë e FRD), dy drejtuesit politikë të qarkut Durrës kanë zgjedhur të zhvillojnë një takim kokë më kokë për të diskutuar mbi strategjitë e fushatës.
Edi Paloka i PD dhe Elona Guri e LSI, të cilët përveçse janë drejtues politikë kryesojnë edhe listën e kandidatëve të partive respektive, kanë zgjedhur një lokal buzë detit për të bashkërenduar punën e strukturave të tyre. Fotot e siguruara nga “DurrësLajm” kanë fiksuar dy personazhet e rëndësishme të politikës duke diskutuar qetësisht mesditën e sotme dhe vendosur piketat e fushatës për ditët në vijim deri në datën e zgjedhjeve. Megjithëse opozita shprehet optimiste, Durrësi është një qark i vështirë dhe në të kaluarën shpeshherë ka ndëshkuar me votë, ata që kanë keqpërdorur pushtetin në kurriz të qytetarëve.
Opozita ka deklaruar se pretendon të marrë 8-9 mandate duke e nisur përmbysjen e qeverisë së Ramës, pikërisht nga qarku i Durrësit. Se sa do t’ia arrijë këtë gjë duhet pritur 25 prilli. Aleati i Bashës, Agron Duka, njëkohësisht nr.2 i listës së koalicionit opozitar tha sot në një status në rrjete sociale se “kriminelët e votave kanë përfaqësuesit e tyre në listën e PS në Durrës”. Deklarata e Dukës mund të konsiderohet shumë e fortë, duke pasur parasysh, që pas shpalljes së listës së PS-së, kampi opozitar ka shigjetuar disa nga kandidatët e PS-së që garojnë për një mandat të dytë, emrat e të cilëve kanë dalë në disa nga dosjet e prokurorisë.
Pavarësisht se dy partitë opozitare do të dalin në zgjedhjet e 25 prillit me lista të veçanta, liderët e tyre firmosën më 1 mars marrëveshjen me 13 pika për koalicionin paszgjedhor. Si Basha ashtu dhe Kryemadhi deklaruan se shtabet e tyre në qarqe do të koordinonin punën mes tyre në mënyrë që fushata elektorale të jetë sa më efektive dhe të përmbyllet me maksimalizimin e votës së shqiptarëve më 25 prill.
M.B.





