Saga e përfundimit të ndërtimit të shkollës 9-vjeçare “Marie Kaçulini” vazhdon ende. E shembur në mars të vitit 2017 dhe e deklaruar në atë kohë se ndërtimi i saj do të përfundonte brenda 8 muajve, tashmë, kur jemi në janar të 2019, shkolla ende nuk është dorëzuar, ndërsa nxënësit e saj vijojnë mësimin pasditeve në dy shkolla të tjera të qytetit.
Dy shtatorë tashmë kanë kaluar, ai i vitit 2017 dhe ai i vitit 2018, kur nxënësit, stafi pedagogjik dhe prindërit përgatiteshin që më në fund të dëgjonin lajmin e mirë se shkolla po hapte dyert e saj për të pritur sërish në ambientet e reja zërat e fëmijëve që do t’i gëzoheshin klasave dhe laboratoreve modernë falë investimit 860 milion lekë, fond ky i akorduar nga bashkia e Durrësit.
Por duket se pritja do të vazhdojë ende, sepse edhe kur janë tejkaluar jashtë çdo limiti kohor afatet e përfundimit dhe marrjes në dorëzim të objektit, sepse edhe kur premtimeve se së shpejti nxënësit do të mund të frekuentojnë shkollën e re u ka dalë boja, në godinën e shkollës “Marie Kaçulini” vazhdohet të punohet ende.
Nxënësve, nga ana tjetër, u duhet të zhvillojnë mësimin pasditeve në shkollën “Leonik Tomeo” dhe “Bernardina Qeraxhia”, në të ftohtë dhe shpeshherë në ambiente pa ndriçimin e përshtatshëm, ndërsa prindërve u duhet të alternohen me njëri-tjetrin, pasi lënë punët e tyre për të shoqëruar fëmijët në shkollë në orare, kur u duhet të jenë në vendin e tyre të punës.
Të gjithëve u ka ‘ardh në majë të hundës’ me këto punime që s’kanë të mbaruar, por nuk kanë çfarë bëjnë, u duhet të durojnë dhe të heshtin…
E ndërsa “Marie Kaçulini” vazhdon të jetë e mbyllur dhe e pa përfunduar, fatin e saj duket se do ta ndjekë edhe shkolla tjetër 9-vjeçare “Jusuf Puka”. Edhe kjo shkollë prej disa muajsh (që nga mesi i muajit tetor) ka mbyllur dyert e saj për nxënësit; këta të fundit ndjekin mësimin pasdite tek shkolla “Bedrie Bebeziqi”.
Por pavarësisht se shkolla u mbyll dhe nxënësit u transferuan meqë ambientet do t’i nënshtroheshin rikonstruksionit, asnjë punim nuk ka nisur në ambientet e saj. Shkollës i është vënë dryni, oborri i saj dikur plot zëra fëmijësh tashmë është tërësisht i heshtur, ndërkohë që asnjë kantier ndërtimi nuk është hapur që të paktën t’u jepte sinjalin nxënësve, mësuesve dhe prindërve se rikonstruksioni ka nisur dhe në rastin më të mirë të mundshëm shkolla ka “shansin” të hapë dyert në shtatorin e 2019.
Në të dy rastet, është bashkia e Durrësit që ka akorduar fondin për ndërtimin dhe rikonstruksionin e “Marie Kaçulinit” dhe “Jusuf Pukës” dhe njëkohësisht është institucioni përgjegjës që duhet të kontrollojë kompanitë ndërtuese për respektimin e afateve dhe dorëzimin e objekteve në kohë dhe jo për të toleruar zvarritjet e pajustifikueshme të punimeve.
Qindra nxënës që detyrohen të bëjnë mësim pasditeve, shpeshherë në ambiente jo të pështatshme për zhvillimin normal të procesit, qindra nxënës të tjerë që në vend që të përdorin derën kryesore të shkollës hyjnë nga muri rrethues i shembur (rasti i shkollës “Hasan Koçi” në Shkozet), qindra të tjerë që bëjnë mësim në ambiente të amortizuara e plot lagështirë është tabloja e trishtë e gjendjes së arsimit në Durrës.
Nxënësit, mësuesit dhe prindërit në të dyja këto shkolla meritojnë përgjigje dhe reagimin e institucionit të bashkisë për t’i dhënë fund pritjeve të stërzgjatura, pasi nëse vazhdohet me këto ritme, nëse një shkolle tjetër në Durrës do t’i bjerë lapsi të rikonstruktohet të gjithë do të luten që të rikonstruktohet një tjetër shkollë, jo ajo e tyre…
M.B.