Koment nga Drilon Xhepollari

Jasir Asani po kalon momentin më të errët në karrierën e tij si profesionist. Sulmuesi i kombëtares shqiptare nga janari i këtij viti është aktivizuar vetëm 8 minuta me klubin e tij Gwangju në Korenë e Jugut.

Trajneri i tij Lee Jung-Hyo, deklaroi së fundi se Asani nuk do të luajë asnjë minutë sa ai të jetë në krye të ekipit, pasi sipas tij ndërkombëtari shqiptar është mbipeshë.

Në fakt formën e tij të dobët Asani e tregoi edhe në ekipin kombëtar në dy miqësoret e muajit mars, ku zhgënjeu me paraqitjen e tij në fushën e blertë.

Pas eurogolave, që ai realizoi në fushatën eliminatoret, shqiptari nga Shkupi, ka ngrohur stolin te Gwangju duke përjetuar ferrin këto muaj, pasi shijoi parajsën.

Qëndrimi i tij në stol është kthyer në një shqetësim të madh edhe për trajnerin Sylvinho, i cili i vlerëson cilësitë e mëngjërashit 28-vjeçar, por forma e tij ka ngritur pikëpyetje.

Burime pranë trajnerit brazilian thonë se Sylvinho është me dhimbje koke për futbollistët që nuk aktivizohen dhe ka shumë dilema në kokë sa i përket formacionit që do të përdorë në ndeshjet e Europianit.

Mungesa e minutave në fushë reflektohej qartë tek Asani, në miqësoret e marsit, që tani rrezikon formacionin në Europian, pasi Arbnor Muçolli, luan rregullisht në Suedi dhe po zhvillon paraqitje sinjifikative me gola dhe asiste për ekipin e Göteborg. 

Formën pozitive që po kalon Muçolli e shfaqi edhe në kombëtare, në miqësoret kundër Kilit dhe Suedisë, ku zëvendësoi pikërisht Asanin, ndërsa bëri gjëra pozitive në fushë në ato pak minuta që luajti, ndryshe nga 28-vjeçari që ishte hija e vetvetes.

Një fakt që tregon se Asani nuk e ka më vendin e sigurtë në formacion, pavarësisht kontributit në eliminatore. 

Një rregull i pashkruar në futboll thotë se titullar aktivizohet ai që është protagonist në klubin ku luan. 

Tani mbetet të shihet se çfarë do të vendosë Sylvinho, por një gjë është e sigurtë, Asani e ka humbur shkëlqimin.