Kristjan Asllani nuk po kalon një moment të mirë te Torino. Mesfushori pas një fillimi të mirë me torinezët, ku luajti titullar për disa ndeshje, tashmë po qëndron si një alternativë “rezervë” për Marco Baronin. Ky i fundit i ka besuar vetëm 25 minuta në 2 ndeshjet e fundit. Saktësisht ndaj Bolognas hyri si zëvendësues në minutën e 64-të të takimit, ndërsa në duelin e ditës së djeshme që Torino zhvilloi kundër Pisas, shqiptari qëndroi për 90-të minuta në stol.
Në lidhje me këtë ka folur timonieri i Torinos. Baroni ka theksuar se të gjjthë e meritojnë një vend titullari në ekipe dhe se deri në fund të sezonit nuk mund të luajë vetëm me 12 futbollistë. Gjithashtu ka theksuar se Ilic po luan më mirë aktualisht dhe se Asllanit i kanë besuar më shumë se sa i besoi Interi në 3 vite.
“Unë nuk përdor një sistem hierarkie, është një formë respekti për të gjithë futbollistët. Këdo që shikoj si më të mirë, luan, Ilic pati dy ndeshje të mira, ashtu si Asllani që është i fortë dhe ne e donim. Ai erdhi pasi nuk kishte luajtur me Interin në 3 vite, tani ka ardhur te ne dhe ka luajtur 10 ndeshje në më pak se 2 muaj. Për mendimin tim të gjithë duhet të bëhen titullarë, nuk mund të arrish deri në fund të një sezoni me 12 futbollistë”, ka theksuar Baroni.





