11 nëntor 2015 – Çfarë po ndodh me pemët shekullore në qendër të Durrësit, tek ish-Telekomi? Këtë pyetje po bëjnë shumë qytetarë durrsakë, e jo vetëm, të cilët janë dëshmitarë të prerjes së tyre në rrugën “Hafiz Podgorica” gjatë ditëve të fundit, nga punonjësit e ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit. Janë 16 pemë shekullore, dëshmitare të jetës e të zhvillimit të këtij qyteti, pemë që janë simbol i rrugëve e lagjeve më të vjetra të qytetit, të cilat po zhduken. Tre prej tyre e kanë përfunduar ciklin e jetës, janë prerë, ndërsa pemëve të tjera do t’u pritet kurora e madhe deri në trung, që më pas të rilindin degë të reja.

Qytetarët janë dëshmitarë edhe të rënies së një prej pemëve të moçme mbrëmjen e 17 tetorit në rrugën “Hafiz Podgorica”, pranë ish-kinema “14 Nëntorit”, duke bllokuar tërësisht rrugën kryesore, duke rrezikuar jetën e banorëve e duke dëmtuar dy makina të parkuara në anë të rrugës. Ankesa të shumta i janë drejtuar kësaj ndërmarrjeje nga banorët pranë pemëve. Ankesat kanë të bëjnë me plakjen e pemëve, rritjen e degëve dhe rrezikun se nëpërmjet tyre hajdutët mësyjnë shtëpitë, duke kaluar nga pemët në ballkone, por edhe me ndotjen që shkaktojnë, dhe rrezikun e përhapjes së epidemive, për shkak se mijëra zogj qëndrojnë në to.

Njëkohësisht, banorët e dy rrugëve kryesore të qytetit bregdetar në zemër të tij, “Hafiz Podgorica” nga sheshi Pranvera përpara godinës së Postës, që përshkon kryqëzimin e vijon tek ish-kinema “14 Nëntori” deri në rrugën “Skënderbej”, dhe rruga “Kasëm Durrësi” nga Sheshi Pranvera në drejtim të ish-komisariatit të policisë ankohen vazhdimisht se persona narkomanë, kanë tentuar disa herë që të mësyjnë banesat, duke hipur mbi pemët që gjenden në ballkonet e apartamenteve.

Fadil Aga, kryetar i degës publike në Ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit i pyetur nga “DurrësLajm” për problemin në fjalë tha:

“Ndërmarrja e shërbimeve komunale Durrës, po ndërhyn për të zgjidhur disa ankesa qytetarësh. Pemët me kurorë të gjerë shumë të madhe po shkaktojnë aksidente. Ne po ndërhyjmë duke bërë krasitje të rëndë. Nuk po priten përfundimisht, por presim të çelë një kurorë tjetër edhe më e bukur pas krasitjes së rëndë. Ndërkohë, që për t’u prerë janë 3 nga 16 pemët, të cilat janë tharë plotësisht dhe përbëjnë rrezik për jetën e njerëzve që kalojnë poshtë tyre.”

Ndërsa, kryeinxhinieri Syrih Gjergji, tha se deri tani janë prerë 3 prej 16 pemëve në rrugën “Hafiz Podgorica”.

“Krasitja e rëndë do të vijojë edhe më tej në këto rrugë, te stacioni i trenit ka ekualipte dhe jemi të vonuar për ndërhyrje në krasitje. Dita-ditës pemët aty rrezikojnë jetën e njerëzve. Është e rëndësishme që të vijohet me krasitjen e tyre, për të shpëtuar jetë njerëzish.”

/K.H. portali DurresLajm/