Nga Mila Ballhysa

“Nuk kemi qenë aspak të përgatitur për një situatë të tillë. Për rreth 50 ditë e kemi mbajtur mbyllur agjencinë, por tani besoj se tregu imobiliar do të ketë lëvizje, pasi po shohim lëvizje në kërkesë-ofertat për pronat e paluajtshme.”

Deklarata vjen nga Arjana Isaku, menaxhere e agjencisw “Dea Lines”. Në fund të nëntorit 2019, kohë kur ndodhi tërmeti me magnitudë 6.4 Rihter, tregu i pasurive të paluajtshme në Durrës mori goditjen e parë. Ndërsa goditja e dytë, edhe më e fortë sesa e para, nisi në muajin mars, kur frika nga pandemia Covid-19, i detyroi qytetarët të shtynin për një periudhë më të favorshme blerjen apo marrjen me qira të një prone.

Kriza që po kalon ky treg pranohet edhe nga agjenti imobiliar Dritan Beja. Ndërsa në 2 muajt pas tërmetit, kërkesa e qytetarëve për banesa me qira zëvendësoi disi rënien në minimum të kërkesës për blerje apartamentesh, pandemia Covid-19 po dëmton rëndë agjencitë imobiliare.

“Shit-blerja e apartamente është thuajse zero. Në këtë periudhë, edhe kërkesa për qira ka rënë ndjeshëm. Këtu ndikon goditja që ekonomitë familjare kanë pësuar prej koronavirusit, por edhe lëvizja e kufizuar e qytetarëve. Situata e krijuar nga Covid-19 është shumë më e vështirë, sesa ajo pas tërmetit”,- pohon Beja.

Si kanë operuar agjencitë imobiliare

Në javët e para të pandemisë, pjesa më e madhe e punës është bërë online. Por agjentët imobiliarë e pranojnë se sado reklamim i mirë t’i bëhet një prone përmes fotove apo videove, klienti që do të blejë apo marrë me qira do ta shohë me sytë e tij pasurinë e paluajtshme. Lëvizja e kufizuar dhe frika e qytetarëve nga prekja nga koronavirusi e ka vështirësuar së tepërmi punën në terren.

“Në fund të fundit klienti do ta shikojë nga afër një pronë, para se të vendosë ta blejë apo marrë me qira. Kryesisht në këtë periudhë kemi punuar me apartamente apo banesa që kanë qenë të boshatisura. Por na ka rastisur edhe që pronarët e shtëpisë t’i linin dyert hapur para se të shkonim ne dhe të largoheshin vetë nga banesa përsa kohë klienti i interesuar do ta shihte atë. Në disa raste na është dashur që lëvizjet t’i bënim në këmbë”,- thotë Marsida Guma, menaxherja e agjencisë Century 21 “New day”. Për Gumën, është e domosdoshme që agjentët imobilierë të përshtaten me kufizimet dhe distancimin social, që duket se do të zgjasë gjatë.

Ndërsa Arian Gjuzi, menaxheri i Century 21 “Eon”, thekson se gjatë kësaj periudhe puna e agjentëve të tij është fokusuar thuajse tërësisht tek reklamimi online.

“Falë reklamimit online, këto kohë më është dashur të shtoj stafin. Javën e kaluar kam marrë në punë 4 punonjës të rinj. Pandemia Covid-19 ka ndikuar negativisht tek prezantimi që ne bëjmë nëpër pasuri të paluajtshme, pasi pronarët e apartamenteve që kanë qenë në shitje nuk kanë pranuar të kenë vizita në shtëpi në këtë periudhë”, thotë Gjuzi.

Gjatë pandemisë, agjencitë imobiliare futeshin tek bizneset e hapura, pavarësisht se agjentët njëzëri pranojnë se e kishin thuajse të pamundur të zhvillonin në javët e para aktivitetin në terren. Deri tani ata nuk kanë përfituar nga asnjëra prej 2 paketave ndihmëse të qeverisë.

“Nga paketa e parë e ndihmës nuk kemi përfituar. Kemi aplikuar për të dytën, por ende nuk e dimë nëse do përfitojmë gjë. Ndërkohë që janë për t’u paguar taksat, qiraja etj”,– deklaron Dritan Beja.

Edhe Arjana Isaku pranon që nga paketa e parë janë refuzuar nga sistemi, ndërkohë që shpresojnë të marrin pagën e luftës nga paketa e dytë, pasi punonjësit kanë qenë në shtëpi.

“Gjatë kësaj periudhe nuk kemi pushuar asnjë punonjës, pavarësisht se agjencia ka qenë e mbyllur. Të shpresojmë se do të përfitojmë nga paketa e dytë, gjithsesi ne tani jemi fokusuar në zgjidhjen e problemeve që rrjedhin nga masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së koronavirusit”,– thotë Isaku.

E ardhmja e tregut imobiliar në Durrës

Sesi do të jetë e ardhmja e tregut imobiliar në Durrës, askush nga agjentët nuk mund ta thotë me siguri. Të gjithë e pranojnë faktin se në këtë periudhë tregu ka lëvizje në çmime.

“Kjo situatë e krijuar prej Covid-19 ka ndikuar në uljen e çmimeve të shitjes. Ata që kanë nxjerrë pronat e tyre në shitje janë më të predispozuar të negociojnë çmimin. Ne presim në shtator një bum shitjesh”,- thotë Arjan Gjuzi.

Edhe për Marsida Gumën, kjo periudhë është e favorshme për ata që duan të blejnë pasuri të paluajtshme me çmime më të ulta.

“Për shkak se pronat kanë mbetur për një kohë të gjatë pa u shitur, pronarët e tyre janë më të predispozuar për të ulur çmimin. Vërejmë një tendencë në rritje të kërkesës së qytetarëve për të blerë apartamente në rezidenca në Shkëmbin e Kavajës, Golem, Mali i Robit e Qerret, ndërsa evitohet zona e plazhit edhe për faktin se ka qenë ndër më të dëmtuarat nga tërmeti”,– thotë Guma.

“Klientët po bëjnë lëvizje të çmimeve të pronave të tyre. Kjo vihet re tek shitjet, pasi çmimet e qirave janë po në atë nivel si përpara pandemisë”,- deklaron Arjana Isaku.

Për agjentët imobiliarë muajt e ardhshëm janë surprizë, pasi pranojnë se mund të bëjnë vetëm hamendësime, e jo përllogaritje të sakta për ecurinë e tregut të shit-blerjes së pasurive të paluajtshme në Durrës.