Projekti “Veliera” rrezikon të mos përfundojë as këtë sezon veror. Tërmeti dhe koronavirusi, dy goditjet e forta në harkun e 4 muajve për qytetin bregdetar, janë bërë shkaktarë të vonesave në përfundimin e projektit.
Sipas bashkisë së Durrësit, tërmeti i 26 nëntorit në fillim dhe tashmë situata e krijuar nga koronavirusi në mbarë botën, kanë lënë pezull finalizimin e njërit prej projekteve më të kushtueshme të realizuara në qytet me investimin e pushtetit lokal.
Në fund të vitit 2019 mbërritën në Durrës dhe qëndrojnë tashmë të shtrira prej muajsh këmbët ku do të vendoset Vela. Ndërsa vetë Vela, emrin e së cilës mori i gjithë projekti, është ende në proces prodhimi në Itali. Sipas bashkisë, mbyllja e fabrikave në vendin fqinjë, si masë parandaluese për përhapjen e Covid-19, ka pezulluar prodhimin e saj. Rihapja e fabrikave në Itali pritet të hapë edhe dritën jeshile për prodhimin e Velës dhe më pas dërgimin e saj në Durrës.
Për shkak të situatës së paqartë me koronavirusin në Itali, një nga vendet e goditura më rëndë në Evropë, nuk mund të thuhet me siguri nëse projekti Veliera do të marrë formë gjatë sezonit turistik. Gjithsesi, edhe ardhja e montimi i Velës nuk përmbyll tërësisht projektin, pasi faza e fundit ka të bëjë me veshjen e saj me materiale, të cilat do të zgjidhen nga studio projektuese e Marco Casamonti-t në bashkëpunim me bashkinë Durrës.
I nisur si projekt që në fillim të vitit 2018, Veliera me vlerë 66.5 milionë lekë rrezikon edhe këtë sezon turistik të mos marrë formën thuajse përfundimtare të saj. Sheshi i ri publik që mori emrin “Veliera” ka një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë dhe vela mbi të do të jetë 2 mijë metra katrorë. Tenda do të jetë rreth 60 metra e gjatë dhe 40 metra e gjerë dhe mbështetet vetëm në katër pikat kulmore.
A do të jetë shëtitorja “Taulantia” pjesërisht e aksesueshme në verë?
Përveç projektit “Veliera”, një tjetër punë publike me vlerë të konsiderueshme, por këtë herë jo me taksat e tatimpaguesve durrsakë është shëtitorja bregdetare.
Punimet në të nisën vitin e kaluar dhe janë të financuara nga qeveria shqiptare. Projekti zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me bashkinë Durrës.Investimi është parashikuar të mbarojë në nëntor të këtij viti, por pyetja që shtrojnë shumë qytetarë durrsakë që prej 5 javësh janë të izoluar në shtëpitë e tyre është: A do të jetë e aksesueshme shëtitorja në kohën kur masat kufizuese do të nisin të lirohen?
DurrësLajm e pyeti bashkinë lidhur me këtë çështje dhe sipas burimeve pushteti vendor i ka kërkuar Fondit Shqiptar të Zhvillimit që pjesa qendrore e shëtitores “Taulantia” të jetë e hapur gjatë sezonit veror.
Ashtu si “Veliera”, edhe investimi në shëtitore ka pasur vonesa për shkak të tërmetit apo koronavirusit, por vlen të theksohet se ndërprerjet kanë qenë të shkurtra. Ndërkohë, aktualisht, punimet në shëtitore vijojnë normalisht, megjithëse Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ka bërë më publike në faqen zyrtare volumin e punimeve të realizuara deri tani.
Kujtojmë se për herë të tretë po ndërhyhet në shëtitoren “Taulantia” për rehabilitimin e saj brenda pak vitesh. Shumë qytetarëv nuk janë të kënaqur me investimin e fundit, pasi ashtu si dhe në ato të realizuara vite më parë, betoni dhe pllakat fituan terren ndaj gjelbërimit të dikurshëm të ish-Vollgës, aq shumë të dashur për të gjithë durrsakët.
Gjithsesi, duhet të presim përfundimin e investimit për të parë formën finale që do të marrë shëtitorja bregdetare. Përveç shtrimit të pllakave që zënë një hapësirë mjaft të konsiderueshme, ndërsa qytetarët prisnin shtimin e hapësirave të gjelbëruara, një gjë tjetër që tërheq vëmendjen në shëtitore janë grumbujt e mëdhenj me leshterikë në breg të detit. Investimi për herë të tretë në shëtitore duket se nuk parashikoi një zgjidhje për këtë problem, që jo pak ka shqetësuar ndër vite qytetarët e Durrësit.
Info
Shëtitorja në hapësirë përfshn zonën nga porti dhe përfundon te Sfinksi. Punimet në këtë zonë përfshijnë shembjen e murit ekzistues, sipas kuotave të parashikuara, ndërkohë që janë ndërtuar shkallaret drejt detit.
Ndërhyrjet janë të tipologjive të ndryshme, për të krijuar një zonë multifunksionale me:
- hapësira publike
- sheshe
- hapësira të gjelbëruara
- sistem i ri ndriçimi
- parqe për aktivitete sportive
- kënde lojërash për fëmijë.
- lidhje me vijën bregdetare
- kënde për spektakle dhe evenimente të vogla.
Projekti për rikonstruksionin e shëtitores pritet ta transformojë atë në një hapësirë në shërbim të komunitetit.
Ndërkohë, pjesë e projektit është edhe ndërtimi i ‘Sheshit mol’ në të cilin janë projektuar të mbillen pemë në të gjithë gjatësinë e tij, i cili rikthen lidhjet me zonën ku ndodhet Torra Veneciane dhe me portin e ri duke u zgjatur më pas në det.
Ndërsa, monumenti ekzistues nuk do të preket, por do të qëndrojë brenda në park, ku do të aksesohet direkt nga sheshi i hyrjes.
Projekti financohet nga qeveria shqiptare dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me bashkinë Durrës.
M.B.



Shëtitorja në hapësirë përfshn zonën nga porti dhe përfundon te Sfinksi. Punimet në këtë zonë përfshijnë shembjen e murit ekzistues, sipas kuotave të parashikuara, ndërkohë që janë ndërtuar shkallaret drejt detit.


