Emërimet e reja të drejtuesve në krye të disa institucioneve publike në Durrës, janë duke u pritur me interes të madh jo nga ata që duan të jenë në krye të tyre por më shumë nga populli durrsak..

Duke filluar që nga drejtoria e Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive, Spitalit, të OSHEE-së, AKU-së, Shërbimit të Transportit Rrugor, Sigurisë Portuale, Të Hekurudhës Shqiptare, etj, vendet qëndrojnë vakante.

Në Qeverinë "Rama 2", kryeministri vendosi që drejtuesit e institucioneve publike t'ju nënshtrohen konkurseve për përzgjedhjen e tyre. Një numër i madh kandidiatësh kanë konkuruar në fillim të muajit nëntor në ministritë përkatëse, ku janë zhvilluar edhe konkurset për postet e drejtorëve.

Por, tre javë më pas asnjë drejtues nuk është shpallur fitues duke bërë që asnjëri prej atyre që kanë konkuruar të mos jenë të sigurt në atë çfarë po bëhet.

Por problemi nuk është nëse janë zgjedhur apo jo drejtuesit e këtyre instiucioneve nga minsitritë. Ministritë në rastin konkret parimisht duhet të kenë si qëllim me këto konkurse shmangien e tarafeve, të miqësive dhe të korrupsionit.

Këto institucione jetike për shërbimin që kërkojnë qytetarët, janë pa drejtues të tyre, dhe jo vetëm adminsitrata por më së shumti qytetarët që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me titullarët e instiucioneve e që kërkojnë shërbim prej tyre, përballen me të njëjtën shprehje, "kur të emërohet drejtori!". 

Ministritë mund të vendosin që drejtuesit ti emërojnë edhe para Vitit të Ri, madje edhe në 2018, nëse nuk do të gjejnë konsensus për emrin e ri. Çështja është që drejtuesit aktualë të këtyre institucioneve jetike në Durrës, nuk kanë të drejtë as të firmosin e as të vulosin sepse janë të komanduar. Por edhe nëse e kanë, e dinë që janë për një kohë të shkurtër.

Ministritë e linjës duhet ti përgjigjen qytetarëve, në radhë të parë për të garantuar shërbimin sa më të mirë ndaj tyre, sepse duke vonuar emërimet e reja jo vetëm që qytetari nuk është në plan të parë, por qëllimi i këtyre vonesave fle diku tjetër.

Populli nuk ha bar, por e kupton që sa më shumë të vonojnë daljen e rezultatit të konkurseve dhe emërimin e drejtorëve të rinj, aq më shumë i nxisin kandidatët në garë për të gjetur tarfalliqe e miqësira tek ministritë përkatëse për drejtorë.

Konkurset e Qeverisë "Rama 2", po duken sa për sy e faqe, sepse kush drejtor paguan më shumë aty ku edhe vendoset emërimi i tij sot, mund të drejtojë institucionin nesër!