Maja e kodrës së Currilave është rrafshuar dhe duket se është bërë gati për t’u kthyer në shesh ndërtimi. Ndërsa vendi vuan masat kufizuese për shkak të pandemisë Covid-19, puna vazhdon me kohë të plotë në kantierin e ndërtimit të ngritur në majë të kodrës edhe përgjatë ditës së diel.
Fotot dhe pamjet filmike që sjell fotografi Denis Simaku dëshmojnë transformimet që po pëson kjo zonë. Madje, rrafshimi i kodrës në njërën anë po shoqërohet me përqendrimin e dherave në anën tjetër, aq sa po dëmtohet edhe brezi i betonit, investim ky i realizuar disa vite më parë në kodrën e Currilave, për të parandaluar fenomenin e erozionit.
Pas masakrës së bërë në KodërVilë, ku vendin e pishave shumëvjeçare që shërbenin si mushkëria e gjelbërt e qytetit e zunë pallatet shumëkatëshe që mbinë si kërpudha njëri pas tjetrit, duket se makutëria e betonit ia ka vënë syrin një tjetër kodre të qytetit.
Fotot dhe video flasin vetë dhe komentet do të ishin të tepërta. DurrësLajm do të interesohet në ditët në vijim për të mësuar më shumë mbi punimet që po bëhen në majë të kodrës dhe dëmtimin që po i shkaktohet investimit prej 2.3 milion dollarësh të Ministrisë së Mjedisit, që gjithsesi nuk arriti të frenonte fenomenin e erozionit.





