Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, është njeriu më i dashur sot nga të gjithë durrsakët. Me votë absolute në krahasim me kundërshtarët e tij, Dakos, durrakët i kanë besuar për tre herë radhazi votën e tyre, që ndryshe përkthehet: “besim”. Ky besim absolut ndaj tij u tregua edhe në zgjedhjet e 25 Qershorit, ku sërish durrsakët të shumtë në numër i besuan atij si drejtuesi politik i zgjedhjeve. Kjo do të thotë që durrsakët besojnë te Dako, në vendimet që ai merr në emër të qytetarëve të tij, të cilët i udhëheq prej tri mandatesh.
Por kryebashkiaku nuk do të jetë vënë në dijeni të një vendimi që zbaton policia e qarkullimit rrugor, duke mos lejuar këmbë kosovari të hyjë në plazhin e Durrësit.
Policia e qarkullimit rrugor u ka ngitur “traun” të gjithë autobusëve nga Kosova duke mos lejuar hyrjen e asnjë prej tyre në plazhin e Durrësit prej një jave.
Prej një jave, ajo që nuk pritej nga askush ka ndodhur. Asnjë autobus me pushues që ka destinacion plazhin e Durrësit, dhe që tradicionalisht kanë pasur stacionet e tyre të qëndrimit në Teuta, Apollonia, Hekurudha, Rrota e Kuqe, nuk lejohet më të qarkullojë në rrugën e plazhit.
Nuk dihet se kush e ka dhënë këtë urdhër absurd, të pa precedentë, e pa u konsultuar as me operatorët turistikë e as me agjensitë turistike që sjellin turistët në Durrës.
Kësisoj, autobusëve me turistë u është dhënë leja që t’i zbresin në Plepa, apo tek Ura e Dajlanit, njerëzit që na vijnë me pushime, dhe më pas të hipin në autobusët urbanë. Kjo është ide e mirë për të shmangur trafikun që mund të krijohet, fjala bie gjatë zbritjes apo hipjes në autobusë në zonën e plazhit, por ata që vijnë për pushime janë me fëmijë të vegjël, të moshuar e me valixhe, e vijnë nga një rrugë e gjatë. Në autobusët urbanë të plazhit, njerëzit shtypen e bëhen sallatë nga vapa e masa e madhe e njerëzve.
Por situata është edhe më e rëndë, sepse sipas agjencive turistike të Shqipërisë e Kosovës, pas këtij vendimi skandaloz janë të përfshirë njerëz mafiozë, që nuk duan të vijnë në Durrës pushuesit, por të shkojnë në Lezhë apo edhe në qytete të tjera.
Bllokimi i autobusëve me pushues të cilët nuk lejohen të hyjnë fare në rrugën e re të plazhit “Pavarësia” ka ndikuar drejtpërsëdrejti tek të gjithë operatorët nga njësitë akomoduese deri te misrapjekësi.
Hotelet në rrugën e plazhit nuk kanë pushues, as banesat që jepen me qira këtë vit i kanë dhomat bosh.
Bosh janë restorantet, kafenetë, pikat e tregtisë me pakicë kanë xhiro minimale, bosh janë shezlongët, madje edhe shitësit e misrave e kanë qymyrin pa djegur. Kujt i intereson kjo situatë? Kush fshihet pas kësaj situate?
Pse në plazhin e Durrësit nuk lejohet më asnjë autobus të sjellë pushues në pikun e sezonit veror? Për çfarë po ndodh kjo? Kush po favorizohet? Kujt i shërben që plazhi i Durrësit të falimentojë? Asnjë durrsaku të ndershëm, nuk i interson të falimentojë punën në qytetin e vet!
Plazhin e Durrësit deri tani e kanë mbajtur “patriotët” e Kosovës dhe të Maqedonisë, sepse pushuesit vendas e kanë braktisur me kohë.
Do të ishte mirë që kreu i bashkisë së Durrësit, si qytetar i parë, dhe shumë i vlerësuar nga i gjithë populli durrsak, prej hotelierëve dhe misrapjekësve, të merrte masa ndaj vartësve të tij, që lëshojnë urdhra të tillë, apo që neglizhojnë të bëjnë detyrën e tyre.