9 tetor 2015 – Mediat serbe sigurisht i janë gëzuar fitores së ekipit të tyre përfaqësues kundër Shqipërisë. Ato kanë shkruar se ekipi kombëtar serb ka mundur të ruajë krenarinë e Serbisë në Elbasan.
“Serbia me golat e Kolarov dhe Ljajic deklason Shqipërinë", shkruan Kurir.
Ndërkaq, “Blic” ka shkruar një titull tepër të ashpër, duke thënë se shqiponjat serbe fitojnë në mes të Shqipërisë.
Tituj të ngjashëm kanë pasur edhe media të tjera të mëdha serbe. Ato i janë gëzuar fitores së Serbisë, por nga ana tjetër janë zemëruar, sepse Serbia nuk ka shanse për kualifikim.
Kanë qenë të shumta mediat e huaja që kanë komentuar humbjen e Shqipërisë 0-2 ndaj Serbisë mbrëmjen e së enjtes, në stadiumin e Elbasanit. Pothuajse të gjitha janë fokusuar te pësimi i dy golave në minutat e fundit të takimit.
Gazeta më e madhe sportive në Itali, “La Gazzetta dello Sport” shkruan se “De Biazi tashmë është i detyruar të fitojë në Armeni”. Gazeta italiane e nis artikullin: “Serbia kalon në Tiranë 2-0. Minuta ankthi për skuadrën e De Biazit që pëson të parin gol nga Kolarov në minutën e 91-të dhe tri minuta më vonë ka ardhur edhe dopieta në kundërsulm me anë të Ljajic”, shkruan gazeta italiane. Ajo thekson se Shqipëria është e detyruar të fitojë në ndeshjen e fundit në Armeni “për të mos i thënë lamtumirë ëndrrës Euro 2016”.
Gazeta “Tutosport” del me titullin: “Shqipëri – Serbi 0-2 – Garë e blinduar në Elbasan”. Nga kjo gazetë shkëpusim: “E përfolura si derbi i Ballkanit shkoi në favor të Serbisë. Ka shënuar Kolarov në minutën e 91-të dhe interisti Ljajic në minutën e 94-t. Skuadra e De Biazit është në vendin e tretë, një pikë pas Danimarkës, por me një ndeshje për të luajtur ende. Do të luhet për gjithçka më 11 tetor kundër Armenisë. Serbia ndalon me 2 pikë dhe me tre pikë penalizim”.
“AbcNews” e vë theksin te fitorja e sërbëve në minutat shtesë. “Serbia rrëmben fitoren 2-0 në Shqipëri në një takim të tensionuar”.
“YahooNews”: Serbia pengon shpresat historike të Shqipërisë për të shkuar në Europë.
ESPN: “Serbia shënon dy herë në kohën shtesë dhe shokon Shqipërinë”.
“The Guardian”: “Një përfundim dramatik në Elbasan Arena me dy gola diferencë në minutën e 90′ kanë bërë diferencën e Serbisë e cila ka luajtur për krenari dhe asgjë tjetër. Nata e madhe e Shqipërisë u prish nga një nxitim i skuadrës, por ata kanë edhe një shans të dytë për t’u kualifikuar pas tri ditësh në Armeni”.
“Daily Mail” del me titullin: “Branislav Ivanovic dhe Nemanja Matic dëmtohen në ndeshje, por Serbia siguron fitoren 2-0 në minutat e fundit ndaj Shqipërisë në ndeshjen e “ri-luajtur” pas përplasjeve për dronin.”
Gazeta britanike shkruan se loja ishte e qetë në krahasim me atë që ndodhi pas dronit të hedhur në Beograd vitin e kaluar.
/portali DurresLajm/