Cila është ajo vajzë që nuk i ka ndodhur të gjendet përballë gardërobës e të mos dijë se çfarë të veshë apo dhe si t’i kombinojë ato që ka? Ky është një problem që femrat e hasin shpesh, edhe pse mund të kenë një duzinë me rroba. Puna është të dinë si t’i kombinojnë, t’i përshtatin ato për stilin e jetës që bëjnë, të dinë të ndajnë veshjet e punës nga ato të pasditeve apo darkave, ose edhe veshjet e një takimi nga ato për fundjavë.

Lista është e gjatë e duket sikur nuk mbaron kurrë, por një veshje e mirë pune është një pasaportë e vlefshme si për pamjen, ashtu dhe për të arritur nivelet e duhura në punë.

E hënë – Vjen ëmbël në look, si në ngjyrë ashtu dhe në pamje. Një fillim i denjë për ta nisur mbarë javën. Një fustan ngjyrë rozë e lehtë, me një shirit gurësh të vegjël që të japin idenë e një varëseje fine, qëndrojnë mjaft mirë edhe me një pallto në po të njëjtën ngjyrë. Pamja e duhur për takime pune.

E martë – Një ndryshim look-u nga dita e hënë do t’ju bëjë më interesante në sytë e kolegëve. Ndryshojeni pamjen të martën. E zeza është gjithmonë ngjyra shpëtimtare, përshtatet për çfarëdolloj evenimenti. Por, thyerja e bukur me detaje të vogla, do t’ju bëjë më in. Një palë çorape të shkurtra sipër kyçit të këmbës, të kombinuara me një palë këpucë me taka do të bëjë që imazhi juaj të duket më i kuruar.

E mërkurë – Veshja klasike e punës, pantallona të zeza dhe këmishë e bardhë. Por, edhe këtu prerja e pantallonave nuk është ajo që jemi mësuar të shohim zakonisht. Pantallonat kanë një pjesë të hedhur si fund. Shtojini pamjes suaj edhe një varg perlash dhe stili juaj zyrtar do të jetë më i kompletuar.

E enjte – Një fustan krem ( mëndafsh ) me fantazi bardh e zi, i lidhur në qafë, duhet të jetë veshja juaj e preferuar. Pse? Sepse është një fustan i rehatshëm, i kohës dhe me një prerje shumë femërore. Luani me ngjyrat. Theksojeni veshjen tuaj duke nxjerrë në pah si pallton, ashtu dhe atë që keni veshur poshtë saj. Një ngjyrë ndryshe nga fustani do t’i japë më shumë gjallëri pamjes suaj.

E premte – Erdhi dhe fundjava. Pamja juaj tani është më e qeshur. Një bluzë, që duket sikur përkëdhel lëkurën, me një fund me pala korrenti, do t’ju bëjë të dukeni më të këndshme në ambientet e punës. Kryefjala e këtij sezoni do të jetë ngjyra gri. Por, mos u kapni fort pas stilit unik. Luani me detajet. Në këtë veshje këpucët bëjnë ndryshimin. Nga bluza me topa në animal print në këpucë. Një kafe në një bar i thotë “mirupafshim” një jave të lodhshme pune, për të filluar një fundjavë sa më të bukur, me një pamje sa më sportive. /Living