Teksa pritet masa për 23 të arrestuarit e protestës së dhunshme në Kukës, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, ka folur për rrugën e Kombit.

Nga Komisioni i Ekonomisë, Ahmetaj tha se qytetarët duhet të informoheshin më mirë dhe se kontrata është negociuar me kujdes.

“Ka filluar një diskutim jo i drejtë i taksës së qarkullimit dhe shumëkush ngre argumente rreth kësaj takse. Taksa është pjesë e thesit të madh të buxhetit të shtetit. Këto para shkojnë që nga pensionet, te borxhi i trashëguar, se kjo qeveri nuk ka lejuar borxh të ri, që te shkolla, spitale e deri te ndihma ekonomike.

Rrugët nacionale nga buxheti i shtetit kanë tërhequr 40.7 miliardë lekë në vitin 2013. Në vitin 2014, ku na lanë gropën e madhe të borxhit, investuam 230 mln dollarë, në 2015-n 220 mln dollarë, në 2016-n 157 mln dollarë, në 2017-n 225 mln dollarë, dhe plani për këtë vit është 244 mln dollarë”, tha Ahmetaj në Komisionin e Sigurisë.