Ministri i Turizmi dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka zhvilluar një takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç ku fokusi i takimit ishte turizmi mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Përmes një postim në “Facebook”, Klosi shkruan se turizmi s’ka kufi prandaj duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi për ta zhvilluar atë në Ballkan.

Sipas ministrit Klosit, bashkëpunimi mes Ballkanit është kushti që industria e turizmit të depërtojë në tregjet e largëta dhe kjo arrihet duke mbështetur turistët dhe promovuar vendet tona.

“Turizmi s’ka kufi, e duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi për të rritur e konsoliduar destinacionin turistik të Ballkanit. Me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në pritjen e delegacionit shqiptar për të çuar përpara bashkëpunimin në fushën e turizmit, si një nga sektorët rajonal me më shumë potencial ekonomik. Bashkëpunimi mes vendeve të Rajonit, për ndërtimin dhe konsolidimin e ofertave të përbashkëta, mbetet kusht i depërtimit turistik në tregjet e largëta.

Diskutimi u përqendrua në mbështetjet e mundshme për turistët e rajonit, zhvillimin e fushatave promovuese të Shqipërisë në Serbi, nxitjen e festivaleve rinore në bregdetin tonë e të tjera tema për konsolidimin e bashkëpunimit rajonal në këtë fushë. Turizmi, sikundër ka nënvizuar edhe më herët Kryeministri Edi Rama, është industria më lidhëse e Ballkanit Perëndimor”, shkruan Klosi.