Ka përfunduar verifikimi për kreun e PSD, Tom Doshi, në kuadër të dekriminalizimit.
Edhe pse Tom Doshi ka dhënë dorëheqjen nga mandati, ditën e sotme Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer përgjigje KQZ.
Së bashku me të dhënat që nuk bëhen ende të ditura, Prokuroria i thotë KQZ-së që është ajo që vendos nëse ka shkelje të ligjit për dekriminalizimin.
“Sektori i Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme ka miratuar rezultatet e verifikimit për subjektin Tom Gjek Doshi dhe ia ka përcjellë sot më 04.11.2021 Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili si organ kompetent në zbatim të nenit 12 e 13 të Kreut V të Vendimit të Kuvendit nr.17/ 2016, duhet të shqyrtojë nëse janë evidentuar të dhëna që përfshihen në sferën e kufizimeve të ligjit nr. 138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’, dhe në vijim të vlerësojë nëse ato janë brenda periudhës së ndalimit të përcaktuar në po këtij ligji.”
Por çfarë gjeti Prokuroria e Përgjithshme në dosjen e Doshit?
Sipas “Abc” rekordet e gjetura nga Prokuroria janë:
– “Plagosje të rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “sjellje e padenjë në shoqëri” më 26.02.1990.
– “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime, manifestime të paligjshme” më 20.01.2012.
– “Goditje për shkak të detyrës”, më 13.03.2008.
– Kallëzim i rremë, deklarim i rremë para prokurorit dhe kanosje për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë, më 20.03.2015 nga Prokuroria e Përgjithshme.
– Refuzim për deklarimin, mos deklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive dhe interesave private të personave të zgjedhur dhe nën punësve publik.
– Rezulton të ketë qenë i ndaluar për “kallëzim të rremë” nga data 26.03.2015 deri më 28.03.2015 pasi gjykata i ka caktuar masën “arrest shtëpie”
– Rezulton të ketë qenë i arrestuar në burg në Durrës si i dyshuar për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje” më 26.02.1990.
– Rezulton të ketë qenë me masë sigurie personale:
“Arrest në shtëpi” më 28.03.2015 për “Kallëzim të rremë” “Kanosje për deklarime të rreme”.
– “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, 28.04.2015 “Kallëzim i rremë”.
SHBA e ka shpallur “non grata” kreun e PSD, dhe lidhur me këtë fakt si dhe deklarimet e tij në formularin e dekriminalizimit, bënë që më 22 mars Kryemomisioneri, Ilirjan Celibashi t’i kërkojë Prokurorisë së Përgjithshme verifikim për Tom Doshin.





