Tiranë, 18 korrik 2014 – Skënderbeu ka një mundësi të artë për të patur një ecuri të paharrueshme këtë sezon në Europë nëse arrin të kalojë pengesën e Bate Borisov. Skuadra korçare që ka barazuar në raundin e dytë paraleminatore të Uefa Champions League me bjellorusët në rast kualifikimi mund të gjejë sërish përballë hungarezët e Debrecenit, të cilët i kanë eliminuar dy vjet më parë kampionët e Shqipërisë. Në letër shorti me fituesen e ciftit Clifftonville-Debreceni ishte më i favorshmi i mundshëm për “ujqërit e dëborës” që arritën të evitojnë dhe një përplasje të mundshme me danezët e Aalborg.
Ekipi hungarez është i favorizuari kryesor për të siguruar kalimin në raundin pasardhës, pasi ka barazuar takimin e parë në transfertë me klubin irlandezo-verior në shifrat 0-0. Skënderbeu ndeshjen e kthimit me Bate Borisov do ta luajë në Korçë më datën 22 Korrik në orën 20:00 dhe ka mundësi të kualifikohet nëse arrin të fitojë këtë sfidë, pasi në të parën ka barazuar 0-0. Me Debrecenin, Skënderbeu u ndesh dy sezone më parë në Champions, ku fitoi 1-0 në Korcë dhe u mund 3-0 në Hungari.
Ndërkohë Flamurtari nëse do të arrijë të bëjë mrekullinë duke eliminuar Petrolul Ploestin do të përballet në raundin e tretë të Europa League, me gjigantët çekë të Victoria Plzen, ndërsa Laçi, që pothuajse është eliminuar pas humbjes në shtëpi 0-3 me Zoryan, do të përballet me fituesin e çiftit Molde – Nova Gorica, me norvegjezët që kanë fituar 4-1 takimin e parë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





