Shorteu i fazës së kampionatit të Champions League për sezonin 2025/26 do të zhvillohet më 28 gusht, në orën 18:00, në Montekarlo.
Edhe këtë vit do të ndiqet i njëjti format si sezonin e kaluar, duke garantuar ndarje të drejtë dhe transparente të ekipeve.
Në total janë 36 skuadra pjesëmarrëse, të cilat do të ndahen në katër vazo sipas koeficientit individual të klubeve.
Kampionia në fuqi e Champions League do të jetë automatikisht kokë serie në vazon e parë.
Procesi i shortimit do të kryhet përmes një software-i të automatizuar, i cili u përdor edhe vitin e kaluar.
Çdo ekip do të ketë tetë kundërshtarë, të zgjedhur sipas këtyre rregullave: dy skuadra nga secila prej katër vazove; një ndeshje në shtëpi dhe një jashtë me çdo vazo; nuk lejohet përballja mes skuadrave të së njëjtës federatë; si dhe jo më shumë se dy kundërshtarë nga e njëjta federatë.
Procedura do të ndiqet për të gjitha skuadrat derisa të kompletohet shorteu.
Kalendarët me datat dhe oraret e ndeshjeve të Champions League do të publikohen deri më 30 gusht.
Risitë për Europa League dhe Conference League
UEFA ka njoftuar se këtë sezon do të ketë ndryshime edhe për Europa League dhe Conference League.
Shorteu i tyre do të ndjekë të njëjtën logjikë si Champions League, por me disa rregulla të përshtatura sipas numrit të skuadrave pjesëmarrëse.
Objektivi është të shmanget çdo lloj pabarazie dhe të garantohet që çdo ekip të ketë një kalendar sa më të balancuar, duke rritur konkurrencën dhe spektaklin në të gjitha garat evropiane.





