13korrik 2015 – Ka mbërritur dhe momenti i Skënderbeut, teksa luan të martën në mbrëmje sfidën e parë të turit të dytë paraeliminator të Champions League, ku përballë do të ketë skuadrën kampione në fuqi të Irlandës së Veriut, Krusaders.

Kampionët e Shqipërisë, tashmë të perforcuar me mjaft futbollistë cilësorë vijnë në këtë përballje të parë europiane pas një faze përgatitore mjaft intensive në Austri. Atje ka zhvilluar dhe disa ndeshje miqësore edhe me skuadra të medha, siç ishte ajo e fundit kundër Dinamos së Kievit. Korçarët vijojnë përgatitjen e kesaj sfide në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës. Mungesa e vetme e rëndësishme për trajnerin Josa është ajo e Sabien Lilajt, ndërkohe pjesa tjetër e grupit është në dispozicion të trajnerit Josa, i cili do të përzgjedhë dhe formacionin titullar që do të zbresë në fushë të martën në mbrëmje. Pritet që Josa t'u besoje sulmin dy afrimeve me cilësore në këtë merkato vere, pikërisht Hamdi Salihit dhe bullgarit Ventsislav Hristov, ndërkohë në mesfushë dhe mbrojtje nuk priten ndryshime të mëdha, ku Nimaga pritet të zëvendësojë në mesfushë Sabien Lilajn. Duhet thënë se interesimi në Korçë për këtë ndeshje është mjaft i madh , kjo duket nga numri rekord i biletave të shitura, mbi 6500. Ndërkohë kundështari i Skënderbeut, Krusaders mbërrin sot në qytetin e Korçës rreth orës 17.00 dhe në orën 19.30 do të zbresë në tapetin e blertë të stadiumit “Skenderbeu” për të kryer dhe një seancë të shkurtër stërvitore ambjentuese në prag të sfidës së nesërme ndaj Skënderbeut  vendas.

Ndeshja Skënderbeu – Krusaders, e vlefshme per turin e dytë paraeliminator te Champion League  do të luhet të martën në mbrëmje në stadiumin “Skënderbeu” të Korcës në orën 20.00 dhe do të drejtohet nga një treshe arbitrash austriak me kryesor 34 vjecarin Aleksandër Harkam, delegat i Uefa-s për këtë takim do të jetë Izraeliti Jakob  Erel..