Mbreti Charles III  është diagnostikuar me kancer, njoftoi Buckingham Palace të hënën.

“Gjatë procedurës së fundit spitalore të Mbretit për zgjerimin beninj të prostatës, u vu re një çështje e veçantë shqetësuese. Testet e mëvonshme diagnostikuese kanë identifikuar një formë kanceri” , tha pallati në një deklaratë.

Buckingham Palace nuk specifikoi se çfarë forme kanceri u diagnostikua apo në cilën fazë u gjet.

Lajmi vjen një javë pasi Kate dhe Mbreti Charles u liruan nga një klinikë private në Londër pas procedurave mjekësore. Mbreti iu nënshtrua një “procedure korrigjuese” për një prostatë të zmadhuar, ndërsa Kate, kreu një operacion të paspecifikuar abdominal më 17 janar.

“Madhëria e tij ka nisur sot një orar trajtimesh të rregullta, kohë gjatë së cilës ai është këshilluar nga mjekët që të shtyjë detyrat me publikun”, thuhet në deklaratë.

Sipas deklaratës, mbreti donte të ndante diagnozën e tij pjesërisht për të shmangur spekulimet mbi gjendjen e tij, por gjithashtu “me shpresën se kjo mund të ndihmojë në ndërgjegjësimin publik për të gjithë ata në mbarë botën që janë të prekur nga kanceri”. Charles u ngjit në fron majin e kaluar në një ceremoni kurorëzimi të mbajtur disa muaj pas vdekjes së nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth II. Elizabeth mbretëroi deri në vdekjen e saj në moshën 96-vjeçare. Ajo ishte monarkja më jetëgjatë e Britanisë, me 70 vjet në fron.

Kate është ende në rikuperim, por bashkëshorti i saj, Princi William, do të kthehet në detyrat e tij mbretërore duke marrë pjesë në Darkën Gala të Bamirësisë së Ambulancës Ajrore të Londrës të mërkurën.

Pallati Kensington tha më parë se Princesha e Uellsit nuk ka gjasa të kthehet në detyrat e saj mbretërore përpara Pashkëve, më 31 mars. Nuk kishte asnjë datë të specifikuar për kthimin e mbretit në detyra.