Një karikaturë e revistës satirike franceze Charlie Hebdo për Presidentin Erdogan ka shkaktuar reagim të madh në Turqi. “Racizëm kulturor” e ka konsideruar Ankaraja zyrtare karikaturën që ka vënë në shënjestër dhe tallet me Presidentin Erdogan.
“E dënojmë këtë përpjekje të neveritshme të këtij botimi që përhap racizëm dhe urrejtje kulturore. Axhenda anti-myslimane e Presidentit francez Macron po jep fryte. Charlie Hebdo publikoi një seri karikaturash me imazhe të neveritshme të supozuara të Presidentit tonë”, ka reaguar një zyrtar i kabinetit të Presidentit turk Erdogan.
Karikatura në faqen e parë të revistës Charlie Hebdo e numrit të së mërkurës, u publikua në internet mbrëmjen e së martës. Kjo karikaturë tregon Presidentin Erdogan duke konsumuar birrë dhe ngre fundin e një gruaje të veshur me hixhab.
Karikatura e revistës satirike Charlie Hebdo erdhi pas retorikave përshkallëzuese mes Presidentëve Macron dhe Erdogan pas ngjarjes së rëndë të disa ditëve më parë në Francë, kur një mësuesi iu pre koka nga një autor i dyshuar si i radikalizuar.
Në vitin 2015, revista Charlie Hebdo ra pre e një sulmi terrorist ku u vranë 12 gazetarë, mes të cilëve edhe disa nga karikaturistët më të njohur.