Presidenti i Bolivisë, Evo Morales, njëherësh aleat i presidentit të Venezuelës, Hugo Chavez, ka thënë se gjendja shëndetësore e këtij të fundit është “shumë shqetësuese”.
“Gjendja e vëllait tonë, presidentit Hugo Chavez, është shumë shqetësuese. Shpresojmë që lutjet tona do të ndihmojnë jetën e vëllait tonë”, ka thënë Morales.
Pak ditë më parë, autoritetet e Venezuelës kanë bërë të ditur se Chavez ka pësuar “komplikime të reja” pas operacionit nga kanceri më 11 dhjetor.
Ai nuk është shfaqur në publik që nga ajo kohë.
Opozita e Venezuelës i ka bërë thirrje qeverisë që të tregojë të vërtetën për shëndetin e Chavezit.
Zyrtarët kanë thënë se Chavezi mund të mos jetë në gjendje të kthehet për inaugurim në mandatin e ri presidencial, më 10 janar.