Në fushë Chelsea nuk po bën gjëra fantastike këtë sezon, aq sa është në rrezik të madh edhe kualifikimi për në Champions League, por edhe jashtë saj klubi londinez po vuan, sepse ka bërë një gafë në faqen e vet zyrtare në internet.Më 18 prill Chelsea do të përballet me Slavian e Pragës në Europa League, ndaj ka publikuar që tani lajmin se kanë dalë në shitje biletat për atë sfidë dhe për ndeshjen kundër West Ham-it.

Problemi është se në vend që të shkruhej Slavia, në njoftim ishte shkruar Sparta, emri i klubit tjetër legjendar të Republikës Çeke.

Gafa ka bërë xhiron e internetit dhe Sparta e Pragës nuk e ka humbur rastin të thumbojë rivalët e përjetshëm të qytetit, duke postuar një mesazh në Twitter, drejtuar Chelsea-t: "Përshëndetje, çunat e Chelsea FC. E kuptojmë shumë mirë që jeni të hutuar, duke qenë se ne jemi klubi më i famshëm dhe më i suksesshëm nga Praga. Megjithatë, këtë radhë do luani kundër Slavias, na vjen keq…".