Chiara Ferragni dhe Fedez kanë marrë ditën e sotme titullin më të lartë, “Ambrogino d’oro”, nga komuna e Milanos për kontributin e çmuar që kanë dhënë për rritjen e prestigjit të qytetit.

Ky titull u dha në veçanti për angazhimin e tyre gjatë valës së parë të pandemisë së Covid-19, pasi çfti i famshëm mblodhi fonde për të krijuar një njësi të re të kujdesit intensiv në spitalin San Raffaele.

“Ndihemi shumë të nderuar dhe shpresojmë që të bëjmë akoma më shumë për qytetin e Milanos dhe për Italinë në përgjithësi”, u shpreh influencuesja pas marrjes së titullit.

Para se ata të ngjiteshin në skenë për të marrë titullin “Ambrogino d’Oro”, u prezantua edhe motivacioni i plotë përse e kanë merituar këtë titull.

Përveçse krijuan një njësi të re të kujdesit intensiv në spitalin San Raffaele, u përmend fakti se Chiara dhe Fedez shpërndanë ushqime me biçikletë në familjet në nevojë gjatë pandemisë, duke treguar se sa e rëndësishme është që edhe me gjeste të thjeshta t’ju vijmë në ndihmë njerëzve më të brishtë.

Pas marrjes së titullit, Chiara Ferragni reagoi menjëherë në rrjete sociale duke pozuar përkrah bashkëshortit të saj.

“Sot ishte dita e celebrimit të historive të mëdha njerëzore dhe jam e sigurt se ky është vetëm fillimi. Të dua Milano”, shkroi blogerja përkrah imazheve.