Kompanitë e Chiara Ferragni duhet të paguajnë një gjobë prej 1.075 milionë euro (1.18 milionë dollarë) për mashtrimin e klientëve mbi donacione bamirëse të lidhura me shitjen e një ëmbëlsire Krishtlindjesh, tha të premten autoriteti antitrust i Italisë (AGCM). AGCM gjithashtu gjobiti prodhuesin italian të ëmbëlsirave Balocco me 420,000 euro.

Dënimet rrjedhin nga një hetim që rregullatori njoftoi në qershor, lidhur me një pandoro Balocco të markës Ferragni – një ëmbëlsirë e ngjashme me panettone – e shitur në Itali në fund të vitit të kaluar, me mbi 9 euro secila, krahasuar me çmimet e zakonshme të një pandoro Balocco që kushtojnë nën 4 euro.

AGCM tha se reklamat dhe çmimet më të larta i mashtronin konsumatorët të mendonin se duke blerë tortën, ata po kontribuonin drejtpërdrejt në një bamirësi për kërkimin e kancerit të kockave në një spital në Torino, dhe gjithashtu se Ferragni po bënte donacione.

Balocco kishte bërë një pagesë 50,000 euro në spital disa muaj përpara se të hidhte në treg pandoro ‘Ferragni’, kështu që shitjet e produktit nuk kishin asnjë efekt në donacionet e bamirësisë, tha rregullatori.

Ai shtoi se kompanitë e lidhura me Ferragni-n që ajo sanksionoi nuk i dhanë para spitalit të Torinos, pavarësisht se morën më shumë se 1 milion euro për iniciativën e markës dhe për aktivitetet e ndërlidhura promovuese.

Në një mesazh në mediat sociale, Chiara tha se partneriteti me Balocco ishte “një marrëveshje tregtare” e bërë në mirëbesim të plotë dhe në të cilën donacioni i bërë nga prodhuesi i tortës ishte një pikë kyçe e marrëveshjes. Duke thënë se i vinte keq që dikush mund ta kishte keqkuptuar reklamën e saj, Ferragni tha se do të apelonte gjobën e AGCM, duke e quajtur atë “të padrejtë”.

Balocco, në një deklaratë dërguar mediave italiane, tha se gjithashtu nuk ishte dakord me gjobën dhe rezervoi të drejtën për të ndërmarrë veprime për t’u mbrojtur.