Chievo dhe Milani kanë barazuar sot, në ndeshjen e zhvilluar në Verona. Ndeshja ka përfunduar pa gola, 0:0, përkundër rasteve që patën të dyja skuadrat. Më të rrezikshëm u treguan Rossoneri, të cilët e qëlluan shtyllën dy herë në të njëjtin aksion në pjesën e dytë, së pari Abate, e më pas Bertolacci.Chievo shënoi në fund, por gjyqtari e anuloi golin, për pozitë jashtë loje. Milani u largua edhe më shumë nga zona Champions, pas këtij barazimi.
Sfida e “Bentegodi”-t nuk ka filluar mirë për kuqezinjtë pasi në minutën e 18-të portieri Donnarumma ka qenë i detyruar të largohet nga fusha për shkak të një përplasjeje me Cacciatore. Lojtari, pasi ka marrë ndihmën e parë në fushë, është dërguar menjëherë në spital për një kontroll më të detajuar, duke parë se ka marrë një goditje në kokë. Në vendin e tij është aktivizuar veterani Christian Abbiati, i cili është kthyer të luajë një ndeshje në Serinë A pas 10 muajsh. Ndeshja e tij e fundit në kampionatin italian ka qenë më 21 maj 2015-të, Atalanta-Milan 1-3.