Gazeta Financial Times ka zbuluar se paga e plotë e presidentes së Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, është dukshëm më e lartë se ajo e deklaruar zyrtarisht.

Sipas të dhënave, në vitin 2024 Lagarde ka përfituar rreth 726 mijë euro, një shifër që është rreth 56% më e madhe se paga bazë prej 466 mijë eurosh e raportuar nga BQE.

Kjo e vendos Lagarde shumë lart mbi homologun e saj amerikan, Jerome Powell, presidentin e Rezervës Federale, i cili fiton vetëm 203 mijë dollarë (172 mijë e 720 euro) në vit, një pagë e përcaktuar me ligj federal.

Edhe paga bazë e Lagarde e bën atë funksionaren më të paguar në Bashkimin Evropian. Për krahasim, përmendim Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, e cila merr një pagë bazë 21% më të ulët. Përveç pagës, Lagarde përfiton edhe rreth 135 mijë euro në benefite për strehim dhe shpenzime të tjera, si dhe 125 mijë euro shtesë për rolin e saj si anëtare e bordit drejtues të Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare (BRI), shkruan La Repubblica.

Raporti vjetor i BQE-së nuk përmend të ardhurat e Lagarde nga BRI, duke e bërë shifrën reale të të ardhurave edhe më të lartë.