Tiranë, 13 qershor 2014– Në janar të vitit 1964, celulat e agjentëve të CIA-s në Europë ishin vënë në lëvizje. Në duar kishin një informacion, sipas të cilit, Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit shqiptar Enver Hoxha, ishte e sëmurë me kancer. Gjithçka që dinin, lidhej me një informacion të konfirmuar nga disa burime, që thoshte se Nexhmije Hoxha së afërmi do të udhëtonte për në Vjenë me qëllimin për të realizuar një ekzaminim mjekësor.

Ndërkohë, nga Tirana, ambasadori italian jepte, edhe pse jo me bindje të plotë, një lajm sipas të cilit “kishte të ngjarë të bëhej fjalë për kancer”.

Në këtë pikë, gjithkush mund të hutohet, por shërbimet sekrete duket e kanë të qartë punën e tyre. Pa humbur kohë, CIA i ka kërkuar një shqiptari, —-lidhje e këtij shërbimi sekret, që të hartonte një prognozë, ku të argumentonte bindjet e tij personale se çfarë efektesh psikologjike mund të paraqiste Enver Hoxha në rast të vdekjes së të shoqes dhe nëse kjo ngjarje mund të ndikonte pozitën e tij si sekretar i Parë i Partisë Shqiptare të Punëtorëve. Gjithçka gjendet e shkruar në një dokument të CIA-s të deklasifikuar kohët e fundit, që mban datën 7 janar 1964. Në dokument sqarohet se njeriu të cilit i kërkohet shërbimi dikur kishte pasur njohje personale me subjektin, pra me Nexhmije Hoxhën.  

Një javë më pas, më 14 janar, CIA ka në duar në gjuhën shqipe, si dhe të përkthyer në anglisht, dokumentin-prognozë që porositi. Duke analizuar me kujdes informacionin e përgatitur nga shqiptari, mund të thuhet se CIA ka ditur se kujt t’ia kërkojë këtë shërbim. Përmes rreshtave mund të kuptohet se bëhet fjalë për një personazh tepër të kultivuar për kohën dhe krejtësisht interesant në njohuritë që shpalos në fushën e psikologjisë.Hartuesi i prognozës del në përfundimin se Nexhmije Hoxha kishte qenë njeriu më i besuar i Enver Hoxhës dhe mbështetja e tij e përhershme dhe se, në rast të vdekjes së saj, Enver Hoxha nuk do të kërkonte ngushëllim të një femër tjetër. Po kështu, hartuesi shqiptar i prognozës del në përfundimin se në rast të vdekjes së Nexhmijes, personi i vetëm ku Enver Hoxha do të mbështetej, do të ishte Mehmet Shehu.     

Sigurisht që Nexhmija nuk shkoi në Vjenë. Koha ka treguar se ajo nuk ka qenë ndonjëherë e sëmurë me kancer. Dokumente të tjera të CIA-s vërtetojnë se gjatë të njëjtit vit, saktësisht në shtator 1964, në Tiranë kanë mbërritur nga Vjena dy mjekë shumë të njohur. Qëllimi i tyre ka qenë të ekzaminojnë Enver Hoxhën dhe eventualisht edhe të shoqen, Nexhmijen. Të kontaktuar nga CIA, pas kthimit të tyre nga Tirana, dy mjekët nuk kanë dhënë asnjë informacion, në rast se e tillë nuk do të klasifikohet një e dhënë, sipas së cilës Enveri gëzonte shëndet të mirë.

Në gjithë këtë histori mbetet interesante mënyra e funksionimit të shërbimeve sekrete, se si e ndjekin ata shëndetin e liderëve të ndryshëm politikë apo ekzekutivë të shteteve të ndryshme të botës, sidomos të palëve kundërshtare. Po kështu, shumë interesant është edhe dokumenti i hartuar në gjuhën shqipe nga i besuari i CIA-s, që dikur kishte pasur njohje personale me Nexhmije Hoxhën.

DOKUMENTI SEKRET EKSA – 373

Shefi, EE

Shefi i Stacionit, (emri i fshirë)

Shefi i Bazës, (emri i fshirë) 24 shkurt 1964

Komentet e (emri i fshirë) për Nexhmije Hoxhën

Mikrofilmuar, 11 mars 1964

EKAË-4533, 14 janar 1964

1. Bashkëngjitur këtu janë komentet e (emër i fshirë) në lidhje me marrëdhëniet mes subjektit (Nexhmije Hoxhës, red.) e Enver Hoxhës dhe për efektin që vdekja e saj mund të ketë mbi të.

2. Shkurtimisht (emri i fshirë) mendon se do të ishte ekstremisht e vështirë të presim që Enver Hoxha të mos preket nga vdekja e gruas së tij, në një kohë që ata kanë shpenzuar së bashku gati 20 vjet martesë. Ai (emri i fshirë) nxiton të shtojë, megjithatë, se nuk mendon se do të ketë ndryshime thelbësore, psikologjike ose të tjera te Enver Hoxha si person, ose si lider i Partisë Shqiptare të Punëtorëve. Hoxha, në një analizë finale, nuk është një sentimentalist; ai ka qenë zot i vetes, ndonëse pa asnjë dyshim është mbështetur te gruaja e vet për inkurajim moral në rrugëtimin e tij për te pushteti. Është opinioni i (emri i fshirë) se në mungesë të gruas, Enver Hoxha do të kërkojë mbështetjen psikologjike të Mehmet Shehut, fundja në një të ardhme të afërt.  

Në rast të vdekjes së subjektit, rezultati, për pasojë, do të jetë vendosja e marrëdhënieve më të afërta mes Enverit dhe Mehmetit.

(Emri i fshirë)

Bashkëngjitur:

Komentet e tij (emri i fshirë) për gruan e Enver Hoxhës

Njëzet vjet bashkëjetesë është një periudhë mjaft e gjatë në jetën e çdo çifti. Dhe është e natyrshme që humbja e njërës palë të ketë reperkusione në palën tjetër.

Në rastin konkret, Enver-Nexhmije, kjo bashkëjetesë ka, përveç anës së saj kualitative (periodë njëzetvjeçare), edhe anën e vet kuantitative (periodë e turbullt që bashkon automatikisht më tepër palët në simbiozë

Në këtë drejtim, vlen të theksohet se etapa e parë e kësaj simbioze u përket viteve të fundit të okupacionit dhe të luftës partizane; etapa e dytë, viteve të vështira për Enverin, kur presioni jugosllav gjithmonë në rritje e sipër(1945-1948)  synonte zëvendësimin e tij në  postin Nr.1 të Partisë Komuniste Shqiptare me Koçi Xoxen; në këtë etapë të dytë, përkrahja, kryesisht morale e Nexhmijes ndaj Enverit, bashkëshortit të saj, ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme (Thuhej në këtë drejtim në Tiranë, se në ato kohë, letrat e KQ të PK (b) të BRSS mbi gjendjen në Partinë Komuniste Jugosllave”, që paraprinë rezolutën e qershorit të 1948 dhe shizmën (përçarjen, frëngjisht, red.) Beograd – Moskë dhe që iu dorëzuan në mënyrë konfidenciale dhe sekrete Enver Hoxhës nga ambasadori sovjetik në Shqipëri, iu bënë të njohura pikërisht nga Enver Hoxha së shoqes shumë kohë më përpara se t’i bëheshin të ditura Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare; përcaktohej ato kohë në Tiranë se Enveri ia bëri të ditura këto letra më përpara Nexhmijes, së dyti Mehmet Shehut e Bedri Spahiut dhe së treti i shtroi zyrtarisht hapët përpara Komitetit Qendror për diskutim—-). Etapa e tretë i takon triumfit absolut të Enverit mbi Koçin e Xoxes—-, domethënë kohës që kalon nga Kongresi I i Partisë e këtej, por në të njëjtën kohë kjo etapë përmban edhe rivalitetin e Enver Hoxhës me Mehmet Shehun (në këtë drejtim vlen të theksohet se në aparatin e Propagandës e të Agjitacionit të Komitetit Qendror, drejtore e të cilit ka qenë vazhdimisht Nexhmije Hoxha, kurrë nuk janë pranuar as futur elementë “mehmetistë”, bile janë mbajtur qëllimisht larg kësaj Drejtorie të rëndësishme).

Etapa e katërt i përket periodës që fillon me shizmën Tiranë-Moskë dhe në këtë periodë natyrisht rivaliteti Hoxha-Shehu, për arsye të vetëkuptueshme, humb nga intensiteti i tij (Edhe në këtë fazë, të gjitha shenjat tregojnë se Nexhmija i ka qëndruar në krah burrit të saj).

Në simbiozën Enver-Nexhmije, për opinionin tim, elementi më i fortë, pala më e fuqishme, ka qenë Enveri. Dhe kjo për arsye të personalitetit të tij më të spikatur

Nën një maskë “de bonhomme” (burrë dëbore, frëngjisht, red.), Enveri ka fshehur kurdoherë një diplomat anadollak, me shumë zotësi për të manovruar midis tarafeve, një politikan të zgjidhjeve ekstreme dhe sado që në pamje bullafiq, ay—-, domethënë Enveri, ka qenë kurdoherë njeriu i vendimeve të guximshme (pa pasur rrëmbyeshmërinë dhe kapriciozitetin e Mehmetit), f.v. prishja e marrëveshjes së Mukjes gjatë luftës; braktisja e Titos dhe lufta e hapët kundër tij, shizma e fundit me Moskën, – të gjitha këto i detyrohen në radhë të parë qëndrimit të Enverit.

Nga ana e saj, bashkëshortja e tij, Nexhmija, nuk ka qenë kurrë aq tepër njeri i veprimeve të guximshme; më tepër sesa grua veprimi, ajo ka qenë person që u nënshtrohej shpejt presioneve të të tjerëve; më tepër sesa udhëheqëse politike reale – një grua zyre – ndofta gruaja më intelektuale që kish Partia Komuniste Shqiptare. Jashtëzakonisht autodidakte, ajo ish shumë e lidhur pas librave. Gjatë etapës së dytë, fjala vjen, tërë fuqinë ia kish marrë Naxhije Duma, ish-anëtare e K. Qendror, “beniamine” e Koçi Xoxes; edhe në kohën e shizmës Tiranë – Moskë disa të dhëna tregojnë se, si ajo, si gruaja e Mehmetit (Fiqerete Shehu), u lëkundën dhe treguan shenja dobësimi e abandonimi të posteve.

Si konkluzion, përsëris; në simbiozën Enver – Nexhmije, palë determinante qe Enveri.

Që këtej, nuk besoj se humbja eventuale e Nexhmijes do të sjellë ndryshime të spikatura në qëndrimin e Enverit, aq më tepër sepse ky i fundit, në thelb, nuk është edhe shumë njeri i sentimenteve. Karakteristika spikatëse e Enverit është adhurimi jashtë mase i “egos” së tij. Kjo “ego” nuk lë aq shumë vend për të tjerët, qofshin këta të tjerë edhe bashkëshortja e tij, me të cilën jetoi bashkërisht 20 vjet të tërë, në ditë të mira e të këqija, të turbullta e të qeta, të rrezikshme e triumfonjëse.

Sidoqoftë, një farë roli, qoftë edhe të dorës së dytë ose të tretë, humbja e Nexhmijes do të ketë mbi personin e Enverit.

I vendosur për gati një çerek shekulli në krye të Partisë si personi Nr.1, i ndodhur kurdoherë – qoftë edhe jashtë vullnetit të tij – në një rreth tërë intrigash e rivalitetesh, divergjencash e armiqësish, të hapëta ose të fshehta, personale, ambicie dhe pasione, lakmi dhe “convoitises” (dëshirave, red.), Enveri, desh s’desh, duhet të hapte diku zemrën e tij, diku të mbështetej moralisht, diku të qante hallin e tij ose të bisedonte planet dhe meraket e tij. Person më të përshtatshëm sesa të shoqen, domethënë Nexhmijen, nuk mund të gjente. Le të mos harrojmë në këtë drejtim faktorin e njohur psikologjik: krevatin, errësirën, ndjenjën e vetmisë. Është fare e natyrshme, pra, që Nexhmija të ketë qenë për 20 vjet të tëra “konfesori” personal i Enverit, shporta e mbyllur e sekreteve të tij.

Vetë natyra e Nexhmijes mendoj se e ndihmonte Enverin për konfesione. Në të vërtetë, sipas opinionit tim, Nexhmije Hoxha ka qenë një njeri më tepër i butë, me mirëkuptim dhe “comprehension” (arsyeshëm, red.) për hallet e të tjerëve. Në biografinë që kam dhënë më përpara mbi personin e saj, kisha shënuar, midis të tjerave; “Konsiderohej si një nga anëtaret e K. Qendror më liberale… e sjellshme dhe e afruar… ndryshe nga shumica e simotrave të saj, ajo gëzonte një farë simpatie midis komunistëve që e njihnin për shkak të butësisë së saj… ka shumë merita intelektuale”.

Kjo veçori e Nexhmijes, butësia, sado të mos e ndikonte të shoqin, kish një farë influencimi sado të vogël në veprimet dhe qëndrimin e këtij të fundit. Njerëzit që jetojnë për një kohë të gjatë së afërmi marrin diçka, sadopak nga njëri-tjetri, bëjnë, sado të vogla, koncesione—- në këtë ose atë fushë.

Me zhdukjen e Nexhmijes mendoj, pra, se e egra që ndodhet në karakterin intrigesk—- të Enverit, do të spikasë më tepër.

Ndofta në mungesë të një personi që ish shumë i afërm (me zhdukjen eventuale të Nexhmijes), ai do të kërkojë gjetiu një farë mbështetjeje morale e psikologjike. Natyrisht, hë për hë, në të ardhmen imediate, unë personalisht përjashtoj mundësinë që Enveri ta kërkojë këtë mbështetje në elementin femër. I mbeten, sigurisht në moshën e tij të sotme, përmbi të 50-at, fëmijët që ka nga Nexhmija (3 djem?, më i madhi i të cilëve afro 15 vjet).

Por fëmijët kurrë nuk mbushin, sidomos kur janë të vegjël, boshllëqe të tilla.

Personi tek i cili, sipas mendimit tim, Enveri do të kërkojë në të ardhmen immediate mbështetjen psikologjike, është Mehmeti. Dhe natyrisht, ky i fundit do të bëjë çmos që të përfitojë nga situata e favorshme për të.

Kështu pra, po të pranohet si e drejtë hipoteza e mësipërme, vdekja eventuale e Nexhmijes do të ketë si pasojë afrimin më të madh të Enverit te Mehmeti (jo të Mehmetit te Enveri).

Sa për aparatin e Agjitacionit pranë K. Qendror, unë mendoj se ky aparat (Drejtoria Qendrore e Agjitpropit) edhe pa praninë e Nexhmijes do të vazhdojë të mbetet kryesisht një organ i Enverit

Mjekët austriakë në vilën e Enverit në vitin 1964

Raport i CIA-s: Profesorët vjenezë drekuan me Hoxhën

Alarmi i dhënë nga CIA për sëmundjen e pashpresë të Nexhmije Hoxhës e kishte pasur një bazë. Dokumentet e deklasifikuara të CIA-s thonë se gjatë të njëjtit vit Shqipërinë e kanë vizituar dy mjekë vjenezë. E dhëna për udhëtimin e mjekëve vjeneze për në Shqipëri, një prej të cilëve ishte profesori i mirënjohur austriak Karl Fellinger, është siguruar nga CIA në ditën e nisjes së tyre për në Shqipëri, më 10 shtator 1964. Por në të njëjtën ditë, pra më 10 shtator 1964, CIA ka hartuar edhe një dokument të dytë, që thotë tekstualisht: “Profesori vjenez i Fakultetit të Mjekësisë, Karl Fellinger, është thirrur në Shqipëri dhe thuhet se është nisur nga Vjena më 10 shtator 1964. Nuk është e njohur se sa gjatë do të qëndrojë Fellingeri në Shqipëri” (komenti i një burimi: profesori Fellinger ishte treguar tepër i përmbajtur lidhur me udhëtimin, por mendohet se ai po shkon të trajtojë ose sekretarin e Parë të Partisë Komuniste Shqiptare, Enver Hoxha, zonjën Hoxha, ose të dy”. Në vazhdim ka edhe një tjetër dokument të CIA-s, që vërteton vizitën në Shqipëri të mjekëve austriakë. Informacioni mban datën 3 nëntor 1964 dhe sqaron se si një mjek, që ishte lidhje e shërbimit inteligjent amerikan, ka biseduar dhe ka marrë informacione nga mjekët austriakë që ishin në Shqipëri.

/gazeta "Panorama"/