CIA ka arritur në përfundimin se princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman ka urdhëruar personalisht vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, pavarësisht se qeveria saudite mohon përfshirjen “de facto” të sundimtarit, ka thënë një zyrtar i lartë amerikan.

Zyrtari i lartë i SHBA tha për CNN të premten se përfundimi bazohet në një regjistrim të dhënë nga qeveria turke dhe prova të tjera, duke përfshirë edhe inteligjencën amerikane.

Hetuesit gjithashtu besojnë se një operacion i tillë si ai që përfundoi me vdekjen e Khashoggi nuk do të kishte ndodhur pa dijeninë e bin Salman duke marrë parasysh kontrollin e tij ndaj qeverisë, tha zyrtari i lartë i SHBA.

Qeveria saudite ka mohuar përfshirjen e bin Salman në vdekjen e Khashoggi. Khashoggi, një ish-personel mbretëror saudit i cili u bë kritik i qeverisë së vendit, u zhduk në tetor pasi vizitoi konsullatën saudite në Stamboll ku kishte shkuar për të marrë letra për martesën e tij të ardhshme.

CIA ka analizuar një telefonatë që vëllai i princit Khalid bin Salman i bëri Khashoggit, duke e shtyrë gazetarin që të bënte udhëtimin në konsullatë për të marrë dokumentet, sipas Washington Post. Burimet i thanë WP se Khalidi e bëri telefonatën me urdhrin e vëllait të tij.

Khalid e mohoi lajmin e Washington Post, duke shkruar në Twitter se ai kurrë nuk kishte folur me Khashoggin në telefon.