Një oaz gjelbërimi në mes të të cilit ngrihet një strukturë prej druri, për të qenë sa më në harmoni me natyrën përreth.

“Çiflig family agroturizëm”, i pozicionuar vetëm pak kilometra larg Durrësit, është një vend që kombinon më së miri recetat tradicionale me shërbimin mjaft cilësor.


Me një konceptim të ri në menaxhim, ky agroturizëm po surprizon klientelën me risitë më të fundit.
“Disa janë gjërat që ne kemi menduar që të sjellim si risi dhe një nga gjërat kryesore është pjesa, që të përfshijmë të gjithë familjen në praninë e tyre këtu në restorantin dhe resortin tonë. Një gjë shumë e veçantë është që ne, duke pasur parasysh se jemi një agroturizëm në të gjithë konceptin e tij, çdo produkt është ose i prodhuar këtu, ose është i zonës. Jo se nuk e bëjnë të tjerët, patjetër që e bëjnë, por është shumë e rëndësishme që të theksojmë se bëjmë një përzgjedhje të produkteve”,- thotë për “DurrësLajm” sipërmarrësi Fatjon Selimaj.


E bekuar nga natyra me një klimë mesdhetare, toka durrsake nuk zhgënjen me produktet e saj.
“Ky është byreku i bariut, që në fakt është risi dhe ka një shtrat me ragu viçi, ka mishin e qingjit, ka purenë e patates dhe djathin kaçkavall të zonës. Tek kjo pjata tjetër është trahanaja, që ne përgjithësisht e kemi përdorur për mëngjeset tona. Shefi jonë e ka kthyer në një pjatë të mirëfilltë dreke.
Kurse këtu kemi petkat, që janë në profilin e pastave italiane. Ne kemi implementuar shumë mirë miellin integral, që e bën me krokante pjatën dhe më të shijshme. Ndërsa pjata e katërt është me shpendë të vegjël, që i ndërrojmë herë pas here. Në rastin konkret është thëllëza, që e kemi përgatitur me pure patateje dhe qepujka, karrota, të gjitha të karamelizuara”.– na rrëfen Fatjoni.


E kur këto produkte vijnë të përgatitura në tryezë me recetat tradicionale, nuk të mbetet gjë tjetër vetëm t’i shijosh.
E nëse këto gatime të dala nga duart e masterchefit nuk ju mjaftojnë, në fundjavë ju pret një tjetër surprizë, që mund ta shihni teksa përgatitet live para syve tuaj.

“Gjatë fundjavave kemi zonjën Vjollca, e cila po bën byrekun dhe ne byrekun në Çiflig e kemi live-cooking. Pra gatuhet live, gatuhet në sy të klientëve dhe është një pjatë e fortë, sepse ne duam t’I japim rëndësinë që ka. Në rast se italianët kanë picën apo dikush tjetër ka një pjatë të vetën të fortë, kuzhina shqiptare patjetër që byrekun e ka edhe në përditshmërinë tonë”.
Çdo kafshatë e shijuar këtu ju kthen tek shtëpia dhe kujtimet më të bukura që keni, sepse kjo është motoja që udhëheq çdo ditë punën e stafit.
“Eksperienca që bashkon familjen, natyrën dhe shijet shqiptare”- na thotë Fatjoni kur e pyesim për moton e agroturizmit të drejtuar prej tij.
M.B.





