Viti 2023 rezulton më problematiku për familjet në Durrës, pasi nëse nga viti 2020 deri në vitin 2022 shifra vjetore e divorceve e regjistruar pranë gjykatës së rrethit ishte mbi 500, në 2023 ajo është katapultuar në 717 shkurorëzime.

Numri më i madh të ndarjeve i përket çifteve në moshë të re, me pak vite martesë dhe iniciatore janë kryesisht femrat.

Duke folur për shkaqet, sociologia Mirjam Reçi sqaron për kamerën e “DurrësLajm” se “ka arsye tradicionale, të hershme, që gjithmonë i kanë rritur statistikat e divorcit, por ka dhe arsye të reja, që i ka imponuar zhvillimi shoqëror i viteve të fundit. Në familjet shqiptare kryesisht emigrojnë bashkëshortët, ose kryefamiljarët dhe kjo distancë, qoftë edhe fizike, e bën familjen të paqëndrueshme. Arsye të tjera mund të jenë të lidhura me pavarësinë ekonomike të gruas“.

Mirëpo, rritja e ndjeshme e numrit të çifteve, që i drejtohen gjykatës për zgjidhjen e martesës, shihet nga ekspertët edhe si një këmbanë alarmi, për rrezikun që i kanoset institucionit të familjes.

Kjo sepse trauma e divorcit, përveç çiftit, pasoja të shumta lë dhe tek fëmijët.

“Është një traumë, që zgjat në kohë për t’u bërë një post-traumë, nëse nuk trajtohet siç duhet nga familja dhe komuniteti.”

Tek fëmijët, që për fat të keq e shohim rëndomtë këtë fat, që kalojnë dhunë, apo prindërit e të cilëve zihen për kujdestarinë dhe nuk ndajnë në mënyrë të barabartë, gjë që i dëmton nga ana psikologjike, është një efekt që zgjat në kohë dhe transmetohet edhe në brezat më vonë, në shoqërinë e tyre. Normalisht ata do prodhojnë modelin që kanë marrë“, thotë Afërdita Mehmeti, eksperte për çështjet e divorcit pranë Gjykatës Durrës.

Sipas statistikave të INSTAT, në rang vendi, premtimin se deri në vdekje do të qëndrojnë bashkë, në të mirë e në të keq, nga 100 martesa 24.4 çifte e kanë harruar, pasi kanë finalizuar me divorc marrëdhënien e tyre.

K.Gj.