Monologu “Më pyesin ku je” vjen të premten dhe të shtunën në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
Çifti i artistëve Albert Dedja dhe Dardana Berdyna rikthehen pas 31 vitesh në teatrin nga ku ata hodhën hapat e parë të karrierës së tyre artistike.
Me origjinë nga Shijaku, ata kanë ndërtuar jetën e tyre prej mëse 3 dekadash në qytetin e Trentos në Itali, ku kanë ngritur kompaninë teatrore “La quarta parete”.
Në ato ditë demostratash të marsit të vitit 1991, ata u nisën me anije drejt Italisë me bocetin e pjesës që po vinin në skenën e teatrit të Durrësit, ndërsa tashmë kthehen me një bagazh të madh eksperience teatrore mbi shpinë përpara publikut durrsak.
Dy artistët e diplomuar në pikturë dhe art dramatik në Institutin e Lartë të Arteve Tiranë, në këtë rikthim të tyre të parë në teatër kanë marrë me vete edhe djalin e tyre 17-vjeçar Jakin, që po ndjek gjurmët e dy prindërve të tij, sepse studion në lice artistik për multi media.
Në intervistën për “DurrësLajm”, çifti Dedja-Berdyna theksojnë se lidhjen e tyre me Shqipërinë e kanë pasur përherë të fortë, ndërkohë që rikthimi i tyre përgjithmonë në vendlindje mbetet ende një dilemë që mund të marrë zgjidhje në të ardhmen.
Monologu “Më pyesin ku je”, pjesë shkruar nga Alberti dhe interpretuar nga Dardana, është i ndërtuar mbi një koncept teatral, ku një miks formash artistike ndërthuren dhe zhvillohen në trasformim të vazhdueshëm, nëpërmjet filtrash paralelë, hapësirash fizike, metaforike dhe simbolike.
Personazhi dëshmitar dhe përjetues i periudhës hermetike të diktaturës komuniste, përshkon shtigje komplekse ngjarjesh historike, gjëndjesh shpirtërore, dhe përjetimesh inividuale, duke vëne në pjatë një argument provokues; atë të metamorfozës në kohë, të kondicionit të lirisë, të raportit me lirinë. Një monolog, që kërkon një dialog reflektimi kolektiv, kostruktiv e pa kompromis.
“Çfarë rruge kemi përshkruar? Çfarë kemi dashur, çfarë kemi mbajtur? Cilët kemi qenë dhe cilët jemi bërë?” Këto janë disa nga pyetjet që ngre në skenë Dardana me monologun e saj, të premten dhe të shtunën në teatrin e Durrësit.
Një pjesë teatrale që nis rreth orës 18.00 në shkallët e teatrit “Aleksandër Moisiu” për t’u spostuar më pas në skenën e tij.
Intervistën e plotë me çiftin e artistëve nga Shijaku e gjeni në videon e mëposhtme.
M.B.